Kuriozitet

Pelikani Kaçurrel përgatitet për folezim në Divjakë

Ky shpend i rrallë dhe i çuditshëm që ka filluar të shtohet në disa laguna të Shqipërisë si në Nartë, Kune-Vain dhe në Liqenin e Shkodrës, habitatin e vet dhe vëmendjen më të madhe po e tërheq në Lagunën e Divjakës.

Drejt Divjakës tashmë udhëtojnë në çdo stinë të vitit me dhjetëra vizitor ditorë, jo vetëm në stinën e verës, ku ujërat e pastra të Adriatikut lagin rërën e kristaltë dhe brigjet pyjore të pishave aromëmirë, por edhe në stinët e tjera të vitit kur nuk bëhet plazh, vizitorët dhe turistët e huaj nuk mungojnë në Divjakën me një peizazh tërheqës dhe një faunë të veçantë për t’u vëzhguar ku vendin e parë e zë Pelikani Kaçurrel.

Është periudha kur kjo specie e rrallë dhe tepër mbresëlënëse sidomos në fluturim, ka kohën e shumimit dhe të përgatitjes së foleve, apo çerdheve, ku do të çelin e do të rrisin të vegjlit e tyre.

Përgatitjet ata i kanë nisur por në ndihmë të tyre, në ruajtjen e mjedisit ku shumohen dhe të ngritjes së çerdheve, u kanë ardhur dhe specialistët e këtij parku, ku këto ditë kanë filluar kufizimin e territorit të me bova ujore e mjete të tjera, të grumbullojnë e të hedhin shkarpa apo barin e nevojshëm për foletë e tyre, të caktojnë roje të përforcuara, që çiftëzimi dhe vezët e çelura të jenë të sigurta.

Specialistët biologë këtë e quajnë “sezoni i riprodhimit të pelikanit”, prandaj dhe drejtori i këtij parku Ardian Koçi, së bashku me Turin, Sotirin, Fatosin, Sajmirin e Xherrin, të gjithë specialist të biologjisë e në veçanti të kësaj specie,kanë filluar punën për riparimin e rrethimit të ishullit të pelikanit, një tokë e veçuar në mes të lagunës, ku ata çiftëzohen e shumohen. Nuk lejohet këto ditë tu afrohesh veç Brenda një distance të caktuar ku ata nuk shqetësohen.

Por, turistët , sidomos ata të huaj, bëhen kureshtarë jo vetëm për natyrën dhe faunën e rrallë të Divjakës, por edhe për gjurmët historike të saj. Diku në periferi të lagunës së Karavastasë ku sot përgatiten të folezojnë pelikanët, në fshatin Babunjë, poshtë këmbëve të kodrës së Ardenicës, vazhdojnë punimet për gjurmimin e qytetit të humbur të Arnisës.

Po, Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara të vendit për turizmin detar, natyror, të peizazhit, atë të vëzhgimit të shpendëve të rrallë ujorë dhe të historisë.

Objektivi kryesore është “Pelikani Kaçurrel” por jo vetëm ai, janë dhe shpendë të tjerë si Flamingot, të cilët gjallërojnë strugat e ëmbla, Rosat e Egra, Çafkat, Karabullakët por edhe specia e rrallë e buajve të zinj që përmenden nga Straboni për trevën e Myzeqesë.

Turistët e huaj që vijnë për herë të parë në Divjakë, befasohen nga natyra, flora dhe fauna e rrallë, por, edhe nga mikpritja dhe kulinaria vendase.

Produktet e shumta bujqësore, blegtorale, shërbimet në hoteleri apo banesat private, janë një vlerë e shtuar në ekonominë familjare të komunitetit.

{gallery}

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve lagunore tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë mbetet numri i përditshëm i vizitorëve vendas e të huaj që vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që tashmë e kanë kthyer lagunën në habitatin e tyre të përhershëm.

Tashmë vizitorët nuk janë kurioze të çlodhen në lokalet në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër. Zbatimi i moratoriumit që ndalon gjuetinë edhe në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër.

“Rreth 380 vizitorë janë future në këtë park nga muaj janar deri tani, në Parkun e Divjakës dhe nga këta 40 mijë janë turistë të huaj që vijnë kryesisht nga Europa Lindore”, thotë për ATSH drejtori i këtij parku Ardian Koçi.

Flamingot dhe pelikanët që popullojnë lagunën e Karavastasë po tërheqin më në fund edhe vëmendjen e mediave botërore ku së fundmi edhe gazetarë të BBC.

Pelikanët kanë qenë të rrezikuar në të gjithë botën përgjatë dekadave të fundit për shkak të perceptimit se ata konkurrojnë me njerëzit për peshkim nëpër lagunat e pasura, një perceptim ky që hidhet poshtë nga shkenca biologjike, e cila thotë se në fakt, llojet e peshqve të pëlqyer nga pelikanët janë të ndryshëm nga ata që peshkohen nga njerëzit.

Këta shpendë të mëdhenj, krijojnë një emocion të veçantë te shikuesi kur ngrihen në fluturim.

Çdo fundjavë vizitorë të shumtë popullojnë Parkun e Divjakës, ku objekt bëhet vëzhgimi i shpendëve të shumtë e të veçantë që popullojnë këtë lagunë./atsh