Kuriozitet

Hapësira e gjelbër mund të reduktojë krimin dhe depresionin

Një hapësirë e gjelbër e vogël mund të sjellë ndryshime të mëdha në lagjet e rrënuara të një qyteti, thotë një studim i kohëve të fundit në Filadelfia.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Steve Baragona, ishte në qytetin ku u krye studimi, i cili del në konkluzionin se, tjetërsimi i sipërfaqeve të lira në parqe të vogla redukton krimet dhe ul depresionin, kryesisht në zonat me të ardhura të pakta.

Lagjet e Filadelfias kanë afro 40 mijë ngastra të lira. Secila prej tyre është magnet për krime të mëdha apo të vogla, thotë Keith Green me Shoqatën e Hortikulturave në Pensilvani.

“Hidhen plehra dhe mbeturina. Nuk është vend i sigurt për fëmijët që jetojnë përqark. Kushdo mund të fshihet pas shkurreve dhe pemëve apo të fshehë drogat”, thotë Green.

Mjekja e emergjencës Gina South thotë se ndërsa po trajnohej në Universitetin e Pensilvanisë, ajo trajtonte individë nga lagjet e prekura nga krimet dhe droga.

“Trajtuam shumë të plagosur nga armët e zjarrit por bëmë pak ose asgjë për të menduar se cilat ishin shkaqet e krimeve”, tha South.

Hulumtimet e zonjës South gjetën se mjedisi i lagjeve të rrënuara ndikonte tek shëndeti mendor i banorëve.

“Ndihen të stigmatizuar dhe të lënë pas dore. Ata përjetonin shumë emocione negative si depresioni, ankthi dhe frika”, shtoi South.

Ajo thotë se i erdhi në mendje ndikimi që mund të kishte ndryshimi i mjedisit, ndërsa studioi programin “Philadelphia LandCare” të drejtuar nga Keith Green.

Ai punëson kopshtarët lokalë për të pastruar ngastrat, mbjell pemë dhe barë, kositur barin dy herë në muaj dhe për të bërë rrethimin e tyre me gardhe dhe dyer që mirëpresin vizitorë.

“Studimi gjeti se të rrahurat e zemrës u zvogëluan për kalimtarët pranë këtyre parqeve jeshile të sistemuara, në krahasim më parë”, tha ndër të tjera South.

Hulumtimi gjeti se edhe depresioni ra afro 40 për qind për kalimtarët pranë parqeve të gjelbra dhe të sistemuara. Po ashtu edhe krimet ranë me 10 për qind.

“Rezultatet tona ishin më të theksuara, kryesisht në lagjet më të varfra të qytetit. Kjo lë të kuptohet se mund të ketë lagje të caktuara ku rregullime të tilla të mjedisit mund të kenë ndikim më të madh”, thotë zonja South.

Sheila Parker, që ka vite që jeton në atë zonë, thotë se ndryshimet kanë bërë dallime tek shëndeti mendor i banorëve.

“Njerëzit sapo dalin nga shtëpia shohin vetëm mbeturina dhe ferra të paprera. Kjo ndikon shumë tek mendja. Sistemimi i parqeve ka qenë shumë i dobishëm për mua”, tha Parker.

Keith Green vuri re se si programi i tij po ndryshonte lagjet. Ai thotë se tani njerëzit frekuentojnë parqet e gjelbëruara.

“Ndjehesh mirë kur vëren se dhuna me armë zjarri po bie dhe njerëzit janë frekuentues të këtyre parqeve të vogla të gjelbra”, thotë Green.

Ai thotë se zyrtarë nga mbarë vendi e telefonojnë me pyetjet se si një hapësirë e vogël e gjelbëruar mund të ndihmojë në ringjalljen e lagjeve.