Kuriozitet

Calbraith Rodgers, piloti që realizoi fluturimin e parë mbi SHBA

Piloti Calbraith Rodgers, më 5 nëntor të vitit 1911, u ul me aeroplanin e tij në Long-Beach të Kalifornisë, duke plotësuar në këtë mënyrë fluturimin e parë nga njeri skaj i Shteteve të Bashkuara në tjetrin.

Këtë fluturim, piloti Rodgers e bëri për të fituar çmimin prej 50 mijë dollarësh që kishte ofruar botuesi i një gazete për fluturimin e parë nga njëra anë e vendit në tjetrën brenda 30 ditësh.

Aeroplani i tij ishte pak më i madh se një balonë me një motor me 35 kuajfuqi. Zoti Rodgers u nis nga Gjiri Sheepshead i New Yorkut dhe gjatë ditës së parë ai mbuloi 134 kilometra, duke fluturuar gjithsejtë 105 minuta, transmeton ksp.

Ai cilësoi këtë si një “fillim të suksesshëm”. Mirëpo, përpjekjet për të filluar udhëtimin ditën e nesërme ishin më shumë tipike të kësaj ndërmarrjeje. Ai u përplas për një kotec pulash dhe e shkatërroi avionin.

Mekanikët e tij, të cilët e ndiqnin në një tren të posaçëm, e rindërtuan aeroplanin brenda 40 orësh dhe zoti Rodgers u kthye përsëri në ajër.

Ai qëndroi gjithsej 82 orë e 10 minuta në ajër, me 70 ndalesa gjatë 49 ditëve për të përshkuar distancën nga një skaj i vendit në tjetrin.

Megjithëse ai nuk e bëri udhëtimin brenda afatit për të fituar çmimin me para, Calbraith Rodgers u bë i famshëm pasi ai demonstroi se fluturimi transkontinental ishte i mundshëm.