Kuriozitet

Mbi 400 mijë dollarë për pikturën e realizuar nga Inteligjenca artificiale

New York, 26 tetor – Një vepër arti e realizuar me një program të Inteligjencës artificiale është shitur në ankand për 432 mijë dollarë (379 mijë euro), transmeton sot “Koha Ditore” raportimin e BBC-së. Çmimi final është shumë larg prej atij me të cilin ishte llogaritur të shitej para se të nxirrej në ankand nga shtëpia e njohur e ankandeve “Christie’s”. Ishte paraparë që vlera e pikturës të sillej prej 7 mijë deri në 10 mijë dollarë. Vepra artistike e titulluar “Portreti i Edmond Belamys” është realizuar nga grupi artistik i quajtur “Obvious”, me seli në Paris. Është krijuar duke përdorur një algoritëm dhe seri të dhënash nga 15 mijë portrete që datojnë prej shekullit XIV deri në shekullin XX. Për ta gjeneruar imazhin, algoritmi ka krahasuar veprën e tij me ata që janë futur në databazë derisa nuk mund të bënte selektimin e tyre veç e veç.

Portreti është vepra e parë e Inteligjencës artificiale që nxirren në ankand nga shtëpia e njohur e ankandeve. Shitja tërhoqi vëmendjen e mediave.

"Inteligjenca artificiale është vetëm një pjesë e teknologjisë që do të ketë ndikim në tregun a artit në të ardhmen, ani pse është shumë herët të paragjykojmë se çfarë ndryshimesh do të jenë ato”, ka thënë eksperti nga “Chriestie’s”, Richard Lloyd, i cili ka organizuar shitjen.