Kuriozitet

Syri ka një dispozitiv natyral për të parë në errësirë

Descriptive Text

Uashington, 5 tetor – Sytë e vertebrorëve, përfshirë edhe njeriun, kanë një dispozitiv natyral për të parë në errësirë. Kjo gjendet në disa qeliza të retinës, që gjatë natës ndryshojnë funksionet e tyre të zakonshme, për të ndihmuar trurin të dallojë lëvizjet përreth organizmit, sipas një studimi të publikuar në revistën “Neuron”, të koordinuar nga Greg Field, i Universitetit Amerikan “Duke”.

Duke studiuar aktivitetin elektrik të qindra neuroneve të minjve, hulumtuesit kanë zbuluar katër lloje qelizash të retinës të ndjeshme ndaj lëvizjeve për lartë, për poshtë, majtas dhe djathtas.

Këto qeliza janë në gjendje t’u përshtaten kushteve të ndryshme të dritës dhe të riprogramohen gjatë natës.

“Retina është në gjendje të njohë fotonet, edhe natën, kur numri i tyre është shumë i limituar”, shpjegon Greg Field.

Tek njeriu këto qeliza të ndjeshme ndaj lëvizjes përfaqësojnë vetëm 4% të retinës, por tek kafshët numri i tyre mund të arrijë deri në 30%.

Në fakt për shumë kafshë, shpjegojnë autorët, është thelbësore të individualizohet prania dhe drejtimi i trupave në lëvizje, sepse kjo mund të përfaqësojë, mbi të gjitha gjatë natës, një mënyrë për t’i shpëtuar grabitqarëve të mundshëm.