Kuriozitet

E paimagjinueshme për shqiptarët, Liverpooli denoncon Salahun në polici

E paimagjinueshme për ne, shqiptarët!

Klubi i futbollit Liverpool e ka denoncuar në polici lojtarin e vet më të mirë, Mohamed Salahun për përdorim të telefonit mobil gjatë kohës që po voziste makinën, transmeton Koha.net raportimin e medieve të atjeshme.

Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon egjiptianin duke folur me telefon mobil deri sa po drejtonte makinën, i mbërthyer në një tollovi komunikacioni, ndërsa duket i rrethuar nga numër i madh ithtarësh, ndër ta edhe shumë fëmijë.

“Klubi pas bisedës me lojtarin ia ka dërguar policisë videoxhirimin dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja”, ka njoftuar klubi.

Policia ka konfirmuar se ka pranuar xhirimin në të cilin shihet futbollisti duke folur me telefon mobil deri sa drejton makinën dhe se këtë fakt ia ka përcjellë departamentit përkatës, transmeton Koha.net.

“Falemnderit që na keni informuar”, thuhet në njoftimin e policisë Merseyside.