Kuriozitet

Raporti i zëvendësministrit të Bujqësisë për zinxhirin “Lopa – fermeri – zhvilluesi i shtetit”

Agron Demi, punonjës në institutin GAP, ka ironizuar me një raport që zëvendësministri i Bujqësisë, Shukri Maxhuni, i ka dorëzuar kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Më ironik bëhet fakti se Maxhuni ka titullin Dr.Sc. e është edhe profesor asistent.

“Pjesë nga raporti i një zëvendësministri, i cili para emrit të tij e shënon Dr.Sc., kurse pas emrit të tij Prof.Assis, dorëzuar kryeministrit Haradinaj për punën 100 ditore: ‘Zemra e zhvilimit të një shteti është bujqësia. Zemra e bujqësisë është blegtoria. Zemra e blegtorisë është lopa. Zemra e lopës është fermeri. Zemra e fermerit është qumështorja. Zemra e qumështores është teknologu. Pa funksionuar ky zinxhir, nuk ka zhvillim’”.

“Pasi Institutit Albanologjik nuk ju duk e denjë shtatorja e veprimtarit Anton Çetta, le ta vendosë këtë margaritar si pllakatë në hyrje të objektit, ashtu siç kishte vepruar Akademia e Shkencave para disa vitesh me një thënie të Hashimit”, ka shkruar më tej Demi.

Qeveria e Kosovës ka më shumë se 70 zëvendësministra, shumë prej të cilëve kryeministri Haradinaj as që i njeh. Më parë ai i kishte mbledhur të gjithë në një takim, dhe u kishte kërkuar që të raportojnë për punët e tyre specifike brenda dikastereve që veprojnë.

Në faqen e Ministrisë së Bujqësisë është dhënë edhe biografia e Maxhunit. Aty tregohet se Dr.Sc. Prof.Asis. Shukri Maxhuni, lindi më 01.12.1958, në fshatin Maxhunaj, Komuna e Vushtrrisë.

Shkollimin fillore ka mbaruar në vendlindje në Maxhunaj, ndërkaq shkollimin e mesëm “Kimi-teknologji” e ka mbaruar në Vushtrri. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë në vitin 1982, ndërsa Magjistraturën në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore e ka mbaruar në Zagreb në vitin 1992.

Ndërsa, ka doktoruar në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore në Pllovdiv të Bullgarisë në vitin 2009.

Përvoja e punës:

01.09. – 24.09.1982 ka punuar Profesor i lëndëve Profesionale “Muharrem Bekteshi” Vushtrri.

27.09.1982 – 31.08.1985 ka punuar Profesor i lëndëve Profesionale në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë.

01.09.1985 – 01.06.1989 ka punuar Udhëheqës prodhimi në “Qumështoren konzume” Fushë Kosovë.

01.09.1989 – 30.06.1990, ka përcjellë ligjëratat Post-universitare në Institutin Agronomik Mesdhetar në Montpellier të Francës.

15.04.2003 – 31.01.2014 ka punuar në MASHT (Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë), sektorin e arsimit profesional.

Nga Janar 2014, ka marrë titullin akademik Profesor Asistent në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku dhe është Profesor i rregullt.

Ka të botuara tri libra nga Akademia e Publikimeve Gjermane LAMPERD Academy Saarbrucen si dhe Amazona Americane (Possibility of obtaining of the cheese: Mozzarella Cheese produced from cow’s buffalo and goats milk).

Gjithashtu ka të botuara dhjetëra punime shkencore në lëmin përkatëse nëpër revistat shkencore botërore dhe është pjesëmarrës nëpër Simpoziumet dhe Konferencat shkencore.

Shukri Maxhuni u emërua Zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës më 15.12.2017.