Reagimet ndaj aromave zbulojnë qëndrimet tona politike

Reagimet ndaj aromave zbulojnë qëndrimet tona politike

22 qershor 2018 09:07

Njerëzit të cilët neveriten lehtë nga aromat e trupit, gjithashtu tërhiqen nga drejtuesit autoritarë politikë. Një sondazh e tregoi një lidhje të fortë midis mbështetjes së një shoqërie të udhëhequr nga një udhëheqës despotik dhe të qenit të ndjeshëm ndaj aromave të trupit, si djersa apo urina.

Kjo mund të vijë nga një instinkt i thellë për t’i shmangur sëmundjet ngjitëse. “Ka ekzistuar një lidhje e ngushtë midis asaj se sa fuqishëm dikush neveritej nga aromat dhe dëshira e tyre për ta pasur një lider diktatori, i cili mund t’i shtypë lëvizjet radikale protestuese dhe të sigurojë që grupe të ndryshme “të qëndrojnë në vendet e tyre”. Ky lloj i shoqërisë e redukton kontaktin midis grupeve të ndryshme dhe, të paktën në teori, i zvogëlon gjasat për t’u sëmurë”, thotë Jonas Olofsson, i cili e hulumton aromën dhe psikologjinë në universitetin e Stokholmit dhe është një nga autorët e studimit, transmeton koha.net.

Pështirja (neveria) është një emocion themelor që na ndihmon të mbijetojmë. Kur njerëzit janë të neveritur, ata i rrudhin hundët dhe i picërojnë sytë e tyre, në thelb duke e ulur perceptimin e tyre ndijor për botën. Në thelbin e saj, neveria është një mbrojtje kundër gjërave që janë të rrezikshme dhe infektive - gjërat që duam t’i shmangim. Hulumtuesit e kishin një teori se duhej të ekzistonte një lidhje midis ndjenjave të neverisë dhe asaj se si një person do të donte që shoqëria të organizohej. Ata mendonin se njerëzit me një instinkt të fortë për t’u distancuar nga aroma e pakëndshme do e preferonin gjithashtu një shoqëri ku grupe të ndryshme mbahen të ndara. “Të kuptuarit e ndryshueshmërisë së përbashkët ndërmjet reaktivitetit emocional bazë ndaj indikatorëve potencialë patogjenikë, si aromat e trupit dhe qëndrimet ideologjike që mund të çojnë në agresion ndaj grupeve të perceptuara si devijuese, mund të nxitë hulumtime të ardhshme mbi atë se çfarë janë përcaktuesit emocionalë të shmangies së një grupi të jashtëm. Në të ardhmen njohuritë e tij mund t’i informojnë politikat për ta parandaluar etnocentrizmin”, thotë Marco Tullio Liuzza nga Universiteti Magna Graecia i Catanzaro në Itali, gjithashtu një nga autorët, transmeton koha.net.

Një shkallë u zhvillua për pjesëmarrësit për t’i vlerësuar nivelet e tyre të neveritjes ndaj aromave të trupit, si të tyre ashtu edhe të të tjerëve. Shkalla u përdor në një sondazh të madh që u dha online në vende të ndryshme, së bashku me pyetjet mbi pikëpamjet e tyre politike. Në SHBA, u shtuan pyetjet se si planifikuan të votonin në garën presidenciale të vitit 2016. 'Kjo tregoi se njerëzit që ishin më të neveritur ndaj aromave kishin gjithashtu më shumë të ngjarë të votonin për Donald Trump se sa ata që ishin më pak të ndjeshëm. Menduam se kjo ishte interesante sepse Donald Trump flet shpesh për mënyrën se si njerëzit e ndryshëm e neverisin atë. Ai mendon se femrat janë të neveritshme dhe se emigrantët përhapin sëmundje dhe ata shpesh shfaqen në retorikën e tij. Kjo i përshtatet hipotezës sonë se mbështetësit e tij do të neveriteshin më lehtë edhe vetë", thotë Jonas Olofsson.

Rezultatet e studimit mund të interpretohen për të sugjeruar se pikëpamjet autoritare politike janë nga lindja dhe vështirë ndryshohen. Megjithatë, Jonas Olofsson beson se ato mund të ndryshohen edhe nëse janë të ngulitura thellë. “Hulumtimi ka treguar se besimet mund të ndryshojnë. Nëse krijohet kontakti midis grupeve, autoritarët mund të ndryshojnë. Nuk është e shkruar në gur. Përkundrazi, besimet mund të azhurnohen kur mësojmë gjëra të reja”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme