Bill Gates po punon me gjeneticistët për ta krijuar lopën “perfekte”

Bill Gates po punon me gjeneticistët për ta krijuar lopën “perfekte”

19 qershor 2018 16:35

Modifikimi i gjeneve mund të jetë një mënyrë për ta rritur qëndrueshmërinë e disa racave blegtorale. Duke i izoluar tiparet e dëshirueshme gjenetike nga racat e lopëve evropiane dhe afrikane, gjeneticistët shpresojnë ta dizajnojnë një lopë e cila prodhon sasi të mëdha të qumështit dhe gjithashtu është në gjendje të përballojë temperatura jashtëzakonisht të larta.

Organizata jofitimprurëse me seli në Edinburg, GALVmed (Global Alliance for Livestock Veterinary Medicine) sapo i ka marrë 40 milionë dollarë nga Bill Gates për të kryer kërkime gjenetike për këtë qëllim. "Mund ta keni një lopë që është katër herë më produktive me të njëjtën mbijetueshmëri", tha Gates për Times, transmeton koha.net.

Filantropisti i tha BBC se ai po investonte në hulumtimin e organizatës jofitimprurëse, sepse "këtu ekziston një kuptueshmëri e madhe për sëmundjet e kafshëve dhe se si mund t’i trajtojmë ato, dhe si ta përmirësojmë gjenetikën në mënyrë që të mund ta fitoni, të themi, të njëjtin lloj të qumështit apo produktivitetin e vezëve që e kemi në Britani."

Krijimi i lopëve që mund të mbijetojnë në temperatura më të nxehta dhe ta prodhojnë të njëjtën sasi të qumështit si lopët që jetojnë në klimë më të butë do të ishte një ndihmë për fermerët e blegtorisë në klima më të nxehta. Arritja e rezultateve në Afrikë "do të ishte shumë më transformuese," tha Gates.

GALVmed ndihmon në prodhimin e vaksinave blegtorale dhe ilaçeve të qasshme për fermerët më të varfër në botë, inxhinieria gjenetike mund të jetë një mjet tjetër për ta përmirësuar jetesën e këtyre fermerëve.

Bill Gates nuk është i vetëm në idenë se inxhinierimi gjenetik i burimeve më të mira ushqimore mund ta ulë varfërinë dhe t’i ndihmojë fermerët e varfër. Në vitet 1970, agronomi Norman Borlaug ndihmoi në vendosjen e të korrave me rendiment të lartë, të cilat ishin të qëndrueshme ndaj sëmundjeve, gjë që i shpëtoi më shumë se një miliard jetë - një përpjekje kjo globale e njohur si Revolucioni i Gjelbër.

Pa dyshim, lopët që prodhojnë më shumë qumësht dhe mbijetojnë nën diellin e nxehtë do të jepnin përfitime të menjëhershme për fermerët. Por një numër në rritje i ekspertëve besojnë se qëllimi i rritjes së industrisë globale të mishit është i shkurtër. Prodhimi i mishit prodhon sasi disproporcionale të emetimeve të gazrave serrë për njësi të proteinave, krahasuar me bimët e ngrënshme.

Sipas një analize nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e OKB-së, blegtoria globale e prodhon 14.5 për qind të të gjitha emetimeve që janë rezultat i aktivitetit njerëzor. Ndërkohë që më shumë njerëz dalin nga varfëria dhe mund ta zgjedhin një dietë të pasur me mish, këto emetime - dhe ndikimi i tyre në ngrohjen globale – vetëm sa do të rriten.

Për më tepër, prodhimi i mishit gjithashtu kërkon më shumë ujë – përafërsisht 15,000 litra për kilogram mish të lopës. FAO gjithashtu vlerëson se bujqësia blegtorale e zë rreth 30 për qind të tokës që është në dispozicion në sipërfaqen e Tokës – pjesë këto të tokës që do të mund të përdoreshin për t’i ushqyer njerëzit në vend të kafshëve. Disa ekspertë argumentojnë gjithashtu se industria e mishit e dëmton varfërinë globale. Nëse të gjitha drithërat që përdoren për ta mbështetur blegtorinë do t’u jepeshin njerëzve, do të kishte ushqim edhe për 3.5 miliardë njerëz të tjerë, transmeton koha.net.

Bill Gates e pranoi se rritja e prodhimit të mishit i ngre disa çështje etike serioze, por ai beson se fermerët në vendet e varfra duhet ta kenë të drejtën për të njëjtat teknologji që njerëzit i gëzojnë në ekonomitë e industrializuara.

"Derisa ka edhe çështje legjitime nëse bota mund ta përmbushë oreksin e vet për prodhimet e kafshëve pa e shkatërruar mjedisin, është fakt që shumë njerëz të varfër mbështeten tek kafshët si për të ushqyerit ashtu edhe të ardhurat", shkroi ai në një postim në blog. "Unë besoj se ata duhet të jenë në gjendje ta rrisin bagëtinë në mënyrë të efektshme sikurse bëjnë fermerët në vendet e pasura."

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme