LAJMET E MBRËMJES

Edhe të martën u protestua në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok

Serbët e komunave veriore edhe të martën e vazhduan rezistencën kundër vendosjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale të cilat i mbajnë të bllokuara. Dita e 12-të e protestave qe më ndryshe. Një javë pas përplasjes që la dhjetëra të plagosur në Zveçan, në Leposaviq u pa përballje tjetër mes ushtarëve të KFOR-it dhe protestuesve.

Ndonëse në numër më të vogël, protestues serbë u mblodhën para objekteve komunale në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok edhe në ditën e 12-të të protestave, për ta kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyre.

Trupat e KFOR-it po vazhdojnë të bëjnë roje në Zveçan, ndonëse mes tyre e protestuesve pos rrethojave më nuk gjenden tela gjemborë.

Ashtu si ditëve të tjera, edhe të martën pranë protestuesve u gjetën kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, dhe nënkryetari Igor Simiq.

Të dy patën një takim me dyshen speciale nga Amerika e Evropa, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, rezultatet e të cilit takim i ndanë me protestuesit, por jo edhe me gazetarët.

E gjitha që Rakiq ndau me mediat është se protestat e shumicës serbe në veri do të vazhdojnë.

Në veri, udhëheqësit e Listës Serbe po kundërshtojnë jo vetëm kryetarët e rinj, por flamurin e Kosovës të vendosur në objektet komunale. Por, për ta takuar Lajçakun e Escobarin, në Prishtinë ata kanë mbërritur me veturë që mban targa RKS, e në të cilat ndodhën edhe simbolet shtetërore.

Rrebeshi i shiut i shpërndau protestuesit në Zveçan, komunë në të cilën një javë më parë 30 ushtarë të KFOR-it u plagosën, në përleshje me protestuesit.

E, në Leposaviq të martën pati një përballje tjetër. Në këtë mënyrë ushtarët matën forcat me protestuesit.