LAJMET E MBRËMJES

PDK: Qeveria po e mban kundërligjshëm kryeinspektorin e punës

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, në një konferencë për media të enjten, kanë thënë se emërimi i kryeinspektorit të punës, Hekuran Nikçi, është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Por ky pretendim është hedhur poshtë nga vetë Nikçi, sipas të cilit edhe paraardhësit e tij janë emëruar në formë të njëjtë

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, e ka vlerësuar të kundërligjshëm emërimin e kryeinspektorit të punës, Hekuran Nikçi.

Në një konferencë për media të enjten, ai tha se ka shkelje flagrante dhe të hapur të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave nga Qeveria. Sipas tij, vitin e kaluar Ministria e Financave ka sugjeruar Qeverinë që ta emërojë Nikçin në pozitën aktuale.

“Ky vendim është bërë në mënyrë të kundërligjshme, sepse për këtë pozitë nuk ka pasur konkurs publik, ndërkohë që ligji në fuqi që rregullon këtë çështje, Ligji i Zyrtarëve Publikë, kërkon në mënyrë të qartë që kjo gjë të bëhet përmes një konkursi publik”, ka thënë Gruda.

Sipas tij, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, përmes raportit të monitorimit të jashtëzakonshëm në Ministrinë e Financave, ka konstatuar se Nikçi është emëruar në mënyrë të paligjshme.

Ai thotë se pavarësisht vendimit, Ministria e Qeveria nuk e kanë larguar nga detyra kryeinspektorin Nikçi, por i janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë e asaj të Apelit. Siç tha Gruda, ankesat janë refuzuar.

“Kemi tri vendime të institucioneve shtetërore të cilat tregojnë në mënyrë të qartë që ky emërim ka ndodhur në mënyrë totalisht të paligjshme. Por, përkundër kësaj dhe përkundër që kanë kaluar muaj nga këto vendime, Qeveria e Kosovës vazhdon ta mbajë në detyrë këtë person, i cili është i emëruar në mënyrë të paligjshme”, ka deklaruar ai.

Deklarimet e Grudës janë vlerësuar të pasakta nga kryeinspektori i punës, Nikçi. Ai tha se në të njëjtën formë janë emëruar të gjithë paraardhësit e tij.

“Emërimi im nuk është bërë kundërligjshëm, përkundrazi emërimi im është bërë në përputhje të plotë me Ligjin nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës dhe Ligjin nr. 03/l-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Inspektoratin e Punës, ku neni 3, pika 3.4 potencon, citat, ‘Kryeinspektorin e punës e emëron Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale’. Sikurse unë, në këtë formë janë emëruar të gjithë paraardhësit e mi në këtë detyrë”, ka thënë Nikçi përmes një përgjigjeje me shkrim.

Por Gruda nga PDK-ja ftoi Prokurorinë e Shtetit që të marrë masa në mënyrë që vendimet gjyqësore të ekzekutohen.

“Nuk mund të vazhdojë të funksionojë ky sistem në të cilin as ligjet, as vendimet gjyqësore nuk respektohen sidomos në rastet e pozitave si ky i kryeinspektorit, të cilat kanë për mandat të garantojnë ligjshmëri”, shtoi ai.

KOHA gjatë ditës së enjte ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, por nuk ka marrë përgjigje.