LAJMET E MBRËMJES

Osmani u bën thirrje shteteve mosnjohëse ta pranojnë shtetin e Kosovës

“Sot dua të shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje kombeve mike në mbarë botën që të qëndrojnë me Kosovën sot dhe ata që ende nuk e kanë njohur shtetësinë tonë dhe institucionet tona demokratike t’i bashkohen shumicës së kombeve në botë dhe ta bëjnë këtë”, ka thënë presidentja Osmani

Presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje të mërkurën shteteve mosnjohëse që ta pranojnë pavarësinë e Kosovës.

Thirrja është bërë në seancë plenare të Samitit për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në të cilën kanë marrë pjesë edhe liderë të tjerë botërorë.

“Sot dua të shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje kombeve mike në mbarë botën që të qëndrojnë me Kosovën sot dhe ata që ende nuk e kanë njohur shtetësinë tonë dhe institucionet tona demokratike t’i bashkohen shumicës së kombeve në botë dhe ta bëjnë këtë”, ka thënë Osmani.

Osmani është zotuar se autoritetet e Kosovës do të punojnë me aleatët kudo për forcim të demokracisë në rajon dhe në mbarë botën.

“Ne do të punojmë pa u lodhur për të mbrojtur dhe ruajtur demokracinë tonë, për të zhdukur forcat destabilizuese brenda rajonit tonë dhe për të shmangur autokratët që kanë dëshirë për shkatërrim dhe luftë”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka falënderuar shtetet që kanë ndihmuar të ndalohet gjenocidi në Kosovë.

“Kosova sot është e lirë dhe shtet demokratik, pasi ju zgjodhët të qëndroni me të shtypurit kundër tiranisë dhe regjimit gjenocidal. Ju mbesim falënderues përgjithmonë për kontributin, për ekzistencën e shtetit tim”, ka theksuar Osmani.

Presidentja ka treguar se si Kosova ka kthyer dhembjen e vuajtjen në forcë dhe është demokraci që, sipas saj, tani lulëzon.

“U ngritëm nga hiri si shtet dhe 15 vjet më parë të udhëhequr nga vendosmëria e njerëzve tanë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe formoi institucionet që sot janë mishërim i lirisë e demokracisë. Sot Kosova është shtet me demokraci të fuqishme e shtet që e do lirinë. E vetëm këtë vit jemi ranguar si vendi i tretë me më së shumti përparim në nivel të demokracisë”, ka thënë ajo. “Demokracia është rruga që zgjedhin njerëzit tanë e vazhdojnë të zgjedhin çdo ditë, nëpërmjet zgjedhjeve shembullore, bartjeve paqësore të pushteteve, mbajtje të lirisë së mediave e mbrojtje të të drejtave për minoritetet. Por, ka shumë punë për të bërë. Do të vazhdojmë të punojmë”.

Presidentja Osmani ka thënë se Kosova do të bëjë çdo gjë që ta forcojë demokracinë jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe më gjerë.

“Do të bëjmë punë të palodhshme për ta ruajtur demokracinë, për t’i larguar forcat destabilizuese nga rajoni jonë e për të shmangur autokratët, apetiti i të cilëve për shkatërrim e luftë mbetet i fuqishëm. Siç ka thënë presidenti Joe Biden së fundi, autokratët duhet të kundërshtohen e jo të kënaqen”, ka thënë Osmani. “Ftoj të gjithë të qëndroni me Kosovën e ne të vazhdojmë të jemi kampion i demokracisë dhe një aleat i besueshëm”.

Presidentja Osmani me ftesë të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka përfaqësuar Kosovën në Samitin e Dytë për Demokraci, të organizuar virtualisht nga Shtëpia e Bardhë.

Presidentja Osmani ka folur krahas liderëve botërorë, si: presidentit të Francës, Emmanuel Macron, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, kryeministres së Islandës, Katrin Jakobsdottir, presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, si dhe krerëve të shteteve e qeverive nga Zambia dhe Bahamasi.

Në fjalën hyrëse Osmani ka folur për progresin që ka bërë Kosova në avancim të demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.

Në një video-adresim ajo ka thënë se janë duke zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike.

Por, ditë më parë Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij, ka listuar korrupsionin qeveritar si problem serioz në Kosovë. Aty thuhet se nuk janë ndëshkuar disa zyrtarë, pavarësisht se janë përfshirë në afera korruptuese.

Ky raport nuk është përmendur nga presidentja Osmani, e cila ka thënë se Kosova ka punuar pa ndalur për ta avancuar diversitetin, gjithëpërfshirjen dhe të drejtat e grave.

“Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse”, ka thënë ajo.

Presidentja ka thënë se përkushtimi i Kosovës për demokraci nuk është vetëm zotim i dhënë në Samit, por, siç është shprehur ajo, “është ekzistenca jonë e përditshme në vijën e parë të frontit përballë autokracive”.

“Përkushtimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i pathyeshëm. Përkushtimi ynë për të punuar me partnerë në mbarë botën për ta mbrojtur dhe ushqyer atë është po ashtu i pathyeshëm. Siç tha kohët e fundit presidenti Biden: ‘Në momentet e trazirave të mëdha dhe pasigurisë, gjëja më e rëndësishme është të dish se çfarë përfaqëson. Dhe të dish se kush qëndron me ty, e bën gjithë dallimin’. Vetëm përmes bashkimit të forcave mund ta ndërtojmë një të ardhme ku demokracia është një realitet për të gjithë”, është shprehur Osmani.