LAJMET E MBRËMJES

Rama inkurajon Kurtin për garantimin e vetëmenaxhimit të komunitetit serb

Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë ditës në Shqipëri, ku është takuar me krerët institucionalë. Ka thënë se i ka njoftuar ata për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për dakordimin e arritur për zbatimin e Marrëveshjes bazë. Mbështetje nga ta ka marrë për Planin evropian dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe NATO-n.

Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë temë kyç e takimeve dhe diskutimeve mes liderëve institucionalë dhe kryeministrit Kurti, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Ai është pritur në takime të ndara nga presidenti Begaj, kryeministri Rama e kryetarja e Kuvendit, Nikolla.

Në takim me Begajn, sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kurtit, kryeministri kosovar tha se e ka njoftuar kreun e shtetit shqiptar për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut “dhe për qasjen konstruktive që Kosova ka ndjekur në këtë takim, por edhe gjatë gjithë procesit”.

E Begaj e ka lavdëruar për guxim kryeministrin Kurti për marrëveshjen e arritur në Ohër.

“Presidenti Begaj falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, teksa dha vlerësimin e tij për arritjet e qeverisjes dhe mbështetjen për qëndrimin dhe lidershipin e treguar në arritjen e marrëveshjes mbi aneksin e zbatimit të Propozimit Evropian, tashmë Marrëveshje Bazë. Ai gjithashtu theksoi mbështetjen e tij dhe të Shqipërisë ndaj Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO”, thuhet në njoftimin për media nga Zyra e Kryeministrit.

Takim të një formati më joformal kryeministri Kurti pati me homologun e tij Edi Rama.

Ky i fundit shprehu përkrahje për aneksin e Ohrit, përfshirë edhe nenet që po kontestohen nga opozita në Kosovë.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajën dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë;”, ka thënë Rama.

Ndërsa nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, kryeministrin Kurti e kanë premtuar për mbështetje në anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

“Mbështesim perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB e organizatat ndërkombëtare. Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në perspektivën e tij euroatlantike”, ka thënë Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Pas vizitës së kryeministrit Kurti në Tiranë është bërë e ditur se mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të mbahet në qershor.