LAJMET E MBRËMJES

PSD-ja ia kërkon dorëheqjen Kurtit

Partia Socialdemokrate ka mbajtur protestë para Qeverisë së Kosovës për të kundërshtuar marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për të cilën u dakorduan në Ohër, kryeministri Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Protestuesit e akuzuan Kurtin se e ka pranuar Asociacionin, dhe kërkuan nga ai të japë dorëheqje

Me disa pankarta që mbanin figurat e krerëve shtetërorë por të animuara e me hundë të gjatë, aktivistë të Partisë Social Demokrate (PSD), janë mbledhur në Sheshin Zahir Pajaziti për ta nisur protestën e paralajmëruar tash gati një javë më parë, në kundërshtim të marrëveshjes Kosovë-Serbi, e arritur më 18 mars në Ohër.

Protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurtit, pasi thanë se me marrëveshje, ai e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kur ata u mblodhën, marshi në drejtim të Qeverisë nisi, por pa brohoritma e thirrje, siç zhvillohen zakonisht protestat e kësaj partie e cila përbëhet kryesisht nga ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Asaj mbështetje i dhanë disa ish-deputetë të Nismës Socialedemokrate e deputeti aktual i Partisë Demokratike, Hisen Berisha.

Kur protestuesit arritën te Qeveria, hoqën flamujt e Republikës së Kosovës dhe i zëvendësuan ata me disa të bardhë.

Flamujt e vendosur, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, janë simbol i dorëzimit të kryeministrit Albin Kurti para nevojës për të mbajtur pushtet.

Para protestuesve Molliqaj tha se Kurti e ka pranuar Asociacionin, vetëm se tash ia ka ndryshuar emrin atij.

“Tani që ka vendosur ta themelojë Asociacionin, nuk po e quan as Zajednicë as Asociacion, por po tenton ta quajë ashtu siç e keni dëgjuar: vetëmenaxhim. Nuk ka emër që e zëvendëson atë që po i ndodh Kosovës. Ajo që po i ndodh Kosovës është e qartë. Është autonomi territoriale, etnike për komunitetin serb në Kosovë”, u shpreh Molliqaj.

Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Kurtit i ftoi qytetarët për vigjilencë e kundërshti ndaj marrëveshjes së arritur në Ohër. Ai tha se kryeministri Kurti, e ka ndërruar mbiemrin e vetes nga Kurti në Zajednicë.

“Duke e pranuar Zajednicën në vilën e Titos, nuk është e rastësishme sepse kur e refuzoi ripërcaktimin e kufijve, automatikisht e refuzon bashkimin, ndërsa kur e afirmon Zajednicën, s’ka se si përveç se ta afirmosh nostalgjinë ndaj Titos”, ka thënë Molliqaj.

Pas fjalimit, aktivistët e PSD-së shpërndanë tym të zi para objektit të Qeverisë, i cili thanë se paraqet zymtinë e perspektivës së Kosovës, e sjellë nga Qeveria Kurti.

Protestuesit e akuzuan kryeministrin se ua vodhi votën, e më pas i tradhtoi duke pranuar, siç thanë ata Zajednicën.

“Jo nuk ulem në dialog me Serbinë, jo do ta heq prej Kushtetute, jo të pagjeturit, jo Presheva jo Bujanoci, dhe ky sot këqyr me u arsyetu – jo e kam pranu, jo nuk e kam pranu Zajednicën”, ka thënë Shaqir Grajqevci.

Por, pas protestës pati edhe qytetarë që u deklaruan kundër saj dhe e arsyetuan kryeministrin për pajtueshmërinë që e ka dhënë për marrëveshjen në Ohër.

Xheladin Tafallari tha se Kurti ka vepruar nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare e Amerikës. Sipas tij, para se të gjykohet, duhet të pritet që ai ta përfundojë mandatin.

“Nuk vendosë Albini, nuk vendos Molliqaj. Vendos Amerika. Ka ardhur koha kur ata e kanë kapur seriozisht dhe kjo çështje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Tafallari.

Mbarëvajtjen e protestës e ka përcjellë edhe Policia e Kosovës, sipas të cilit institucion ajo ka qenë e qetë.

“Protesta është zhvilluar e qetë dhe pa ndonjë incident. Protestuesit kanë marshuar nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ deri te ndërtesa e Qeverisë. Aty janë realizuar disa aktivitete të protestuesve, të cilat janë realizuar pa ndonjë incident”, është thënë në një njoftim të Policisë.

Më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordimin për udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian, nëpërmjet të cilit synohet të tejkalohen kontestet mes të dyja vendeve, përjashtimisht njohjes së ndërsjellë.