LAJMET E MBRËMJES

Shënohet 72-vjetori i nisjes së mësimit në Kosovë edhe në gjuhën turke

Janë bërë 72 vjet që kur qytetarët turq të Kosovës kanë nisur të mësojnë në gjuhën e tyre amtare. Për të shënuar këtë përvjetor, të hënën kryeministri Albin Kurti qëndroi në shkollën “Elena Gjika”. Prezenca e tij në këtë përvjetor emocionoi drejtuesit e shkollës

Nxënësit turq në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, të hënën kishin mysafir kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Me lule, muzikë e të gjithë njëzëri në gjuhën turke e shqipe i uruan mirëseardhje shefit të Qeverisë.

Vizita e Kurtit në këtë shkollë është bërë me rastin e 72-vjetorit të nisjes së mësimit në Kosovë edhe në gjuhën turke.

Kryeministri u shpreh krenar për këtë mundësi.

“Gjithashtu ne planifikojmë të organizojmë aktivitete për mësimin për komunitetet, të mbështetura në materiale mësimore dhe materiale të tjera të cilat paraqesin domosdoshmëri për mbështetjen profesionale për shkollat ku ofrohen këto mundësi edhe në gjuhën shqipe pra, në gjuhën e popullsisë shumicë. Këto shpresojmë që do të ndihmojnë që i gjithë materiali, edhe pra i shtypur, edhe digjital, që u nevojitet për arsimin sa më cilësor në këtë shkollë edhe në të gjitha shkollat e tjera të Kosovës, të ketë qasje të lehtë e të shpejtë për të gjithë nxënësit”, theksoi Kurti.

Fjalimin para mësimdhënësve të “Elena Gjikës”, Kurtit ia ndërpreu zilja e shkollës.

“Besoj që edhe pse ra zilja mund të vazhdojmë. Kur kam qenë unë nxënës kur binte zilja ose fillonte ose përfundonte, por tash po vazhdon”, tha kryeministri.

Të emocionuar me prezencën e kryeministrit Kurti u shprehën drejtuesit e shkollës “Elena Gjika”.

Zv.drejtoresha e shkollës fillore “Elena Gjika”, Agnesa Globoder, Kurtit i tha se është kënaqësi që ai i nderon me vizitë në 72-vjetorin e nisjes së mësimit në gjuhën turke.

Sipas saj, në këtë shkollë janë gjithsej 198 nxënës e 19 mësimdhënës nga komuniteti turk.