LAJMET E MBRËMJES

Opozita kritikon Kurtin për mostransparencë në dialog

Dialogu me Serbinë e Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nxitën debat të gjatë e të ashpër mes kryeministrit Albin Kurti e deputetëve të PDK-së e LDK-së. Dy partitë opozitare e akuzuan Kurtin për mostransparencë në dialog, rreth të cilit njoftuan se do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme. Krahas kësaj, në seancën e së enjtes, deputetët e pushtetit bashkë me votat e LDK-së e kaluan Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Ani se nuk ishte pjesë e rendit të ditës, dialogu me Serbinë e Asociacioni i komunave me shumicë serbe ishin temat që nxitën më së shumti debat në seancën e së enjtes të Kuvendit.

Deputetë të Partisë Demokratike dhe ata të Lidhjes Demokratike e akuzuan kryeministrin Albin Kurti për mostransparencë në dialog, teksa e kritikuan për pajtimin që ka shprehur lidhur me propozimin franko-gjerman.

Nga këto dy subjekte politike u shpreh qëndrimi se Kosova nuk duhet të pajtohet me asnjë marrëveshje, që nuk e ka në qendër njohjen reciproke.

“Nuk ka nevojë të na njoftojë se e ka pranuar këtë plan nga një restorant me biftek përpara, por këtu në Kuvend, ku janë përfaqësuesit e popullit”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

“Ti nuk po tregon se çka po bëhet, por e ke pranuar një dokument. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Qëndrim ndryshe prej tyre shprehu kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që e kualifikoi planin franko-gjerman si të pranueshëm.

“Nëse ne i themi Qeverisë sonë nuk ta pranojmë pa njohjen reciproke, matuni mirë çka po i thoni, matuni mirë, nëse jeni ka i thoni kështu. Nuk i kemi thënë Hashim Thaçit më 2013 nuk ta pranojmë pa njohje reciproke, nuk i kemi thënë as tjerëve”, ka thënë Haradinaj.

E kryeministri Kurti, teksa theksoi që nuk do të ketë një marrëveshje finale me Serbinë pa njohje reciproke, kërkoi që opozita të jetë po aq këmbëngulëse sikurse që është me të lidhur me njohjen, edhe kur ka takime me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabirel Escobar.

“Ju inkurajoj, që ashtu qysh jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër dhe që nuk është marrëveshje finale, qysh m’i thoni mua - aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Albin Kurtin dhe ia thoni këto fjalë”, u përgjigj Kurti.

Debati u përcoll me kritika ndaj Kurtit se me dakordimin që ia ka dhënë propozimit franko-gjerman është pajtuar që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e Brukselit, përfshirë atë për Asociacionin.

“Marrëveshja e 2013 është ratifikuar në këtë Kuvend. Nëse s’është e vlefshme sille këtu dhe po e ç’ratifikojmë i ke 60 vota po t’i japim edhe ne nja 20”, ka deklaruar më pas kreu i PDK-së.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është ‘Zajednicë’ e Hashim Thaçit dhe e Isa Mustafës, por duke iu falënderuar Qeverisë me mua kryeministër nuk po zbatohet, sa për ju moti ish kry ajo punë... Kur po jep deklarime Escobari, po thotë për një njeri nuk ndalet Asociacioni, ai është momenti kur ju duhet të dilni e të thoni kryeministri nuk është vetë. Po ju nuk dilni, nuk dilni”, u përgjigj Kurti.

Edhe për çështjen e Asociacionit, Haradinaj i dha të drejtë Kurtit.

“Nuk besoj që duhet t’i japim faj Albin Kurtit dhe Qeverisë për Asociacionin. Nuk e ka bërë ky njeri, e kemi trashëguar”, ka thënë Haradinaj.

Shkaku i diskutimeve të shumta jashtë rendit të ditës për procesin e dialogut, Lidhja Demokratike provoi që nëpërmjet një mocioni procedural ta futë në rend dite një debat parlamentar për bisedimet me Serbinë. Porse mocioni nuk u përkrah as nga deputetë të PDK-së.

Për këtë LDK-ja thirri një konferencë për të shprehur ankesat se kryeministri po tenton që t’i ikë raportimit në Kuvend, ndërkaq bëri të ditur se së shpejti do të thërrasë seancë të jashtëzakonshme.

Gjatë seancës, deputetët i dhanë miratim Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Projektligji kaloi me votat e LDK-së, teksa PDK-ja nuk mori pjesë në votim.

“Besoj që PDK-ja do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Në Kuvend u shqyrtuan dhe u miratuan edhe disa raporte e projektligje të tjera.