LAJMET E MBRËMJES

Sindikata: Punëtorët në privat pagat tri herë më të vogla se ata në publik

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka thënë se inflacioni ka goditur të gjithë të punësuarit e jo vetëm në sektorin publik. Ai ka kërkuar nga Ekzekutivi ta bëjë zyrtarizimin e pagës minimale, teksa shprehu pakënaqësi për sigurinë e punëtorëve në punë dhe për ikjen e fuqisë punëtore nga Kosova

Kritika ndaj Qeverisë për diskriminim dhe mosmbështetje të sektorit privat ka shprehur të premten Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës që përfaqëson të punësuarit në këtë sektor. Në konferencë për media ai ka thënë se me vendimin për caktimin e vlerës së koeficientit prej 105 eurosh janë stimuluar punëtorë me paga prej 700 deri në 800 euro, teksa janë anashkaluar ata që paguhen me nga afro 200 euro, duke përmendur këtu punëtorët teknikë që janë angazhuar për mirëmbajtjen e zyrave në Kryeministri.

“Punëtorët e sektorit privat kanë paga tri herë më të vogla sesa ata të sektorit publik. Sektori privat financon buxhetin e Kosovës dhe Qeveria ndau mjete për sektorin publik dhe jo edhe për sektorin privat sikurse inflacioni t’i godasë vetëm punëtorët e sektorit publik dhe jo ata privatë. Kështu që punëtorët janë shumë të zhgënjyer me veprimin që kanë bërë. Kategoria që është më e pasur është financuar nga qeveria dhe ata që janë më të varfër nuk u financuan. U financuan punëtorët që marrin 700-800 euro pagë dhe nuk u stimulua një punëtor, i cili merr 170 euro pagë”, ka thënë Jusuf Azemi, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës.

Ai ka kërkuar që paga e punëtorëve të sektorit privat të jetë konform Ligjit për Paga e që koeficienti për ta të jetë prej 3.40 deri në 4. Ai ka shprehur pakënaqësi edhe që në mungesë të një marrëveshjeje kolektive punëtorët e sektorit privat nuk kanë të drejtë për stazh të punës.

“Kërkesat tona asgjë nuk janë jashtë atyre që i kemi thënë më herët. E kemi një pagë minimale për të cilën mendojmë që duhet të zyrtarizohet. Kjo është detyrë e Qeverisë të Kosovës, të jetë 450 euro, ta kemi të nënshkruar marrëveshjen kolektive pasi që ne jemi të gjymtë pa një mbështetje ligjore”, theksoi Azemi.

Ai ka shprehur shqetësimin se në mungesë të kushteve dhe të sigurisë në punë, vetëm gjatë viteve 2020 dhe 2021 janë larguar nga Kosova 92 mijë punëtorë me leje pune.

Azemi me tej ka thënë se punëtorëve po u cenohen edhe të drejtat në raportin punëdhënës – punëmarrës, e për këtë ai ka akuzuar sërish Qeverinë e cila, sipas tij, nuk ka përmbushur premtimin për rritjen e numrit të inspektorëve.