LAJMET E MBRËMJES

TI: Kosova shënon përmirësim në luftën kundër korrupsionit

Kosova shënoi përparim në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2022. Në prezantimin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, përpiluar nga “Transparency International”, është vlerësuar se me gjithë përparimin Kosova ende nuk e ka vënë nën kontroll korrupsionin. Megjithatë, ajo ka lënë katër prej pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor prapa vetes. E këtë rezultat e kualifikuan si të arritur të qeverisjes me duar të pastra kryeministri Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Haxhiu

Kosova shënoi progres në luftën kundër korrupsionit, porse nuk e ka vënë atë nën kontroll, ka treguar raporti i organizatës ndërkombëtare “Transparency International” për vitin 2022, i publikuar të martën.

Në përllogaritjen prej 0 deri në 100 pikë, Kosova ka grumbulluar 41 pikë në Indeksin e sivjetmë të Perceptimit të Korrupsionit, duke u radhitur në vendin e 84-t nga 180 shtete të botës.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, tha gjatë prezantimit të raportit se me gjithë progresin e shënuar Kosova mbetet larg mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian.

“Mungesa e skandaleve të korrupsionit, sidomos të atyre të korrupsionit të nivelit të lartë, është e ndërlidhur drejtpërdrejt me nivelin shumë të ulët të shpenzimeve dhe të investimeve kapitale, që si faktor pra ka reduktuar potencialin për raste të tilla të korrupsionit. Sidoqoftë, ne konsiderojmë që kjo nuk do të shihet assesi si strategji që Qeveria duhet ta ndjekë në raport me luftimin e korrupsionit”, ka vlerësuar Eugen Cakolli nga KDI-ja.

Në organizimin e KDI-së për prezantimin e raportit, Ekzekutivi është kritikuar për ndërhyrje në punën e sektorit të drejtësisë.

“Sa i përket sektorit të drejtësisë janë evidente rastet kur Ekzekutivi ka ndërhyrë në punën dhe pavarësinë e tij, sidomos me vendimin për uljen e pagave, por edhe rasteve të ndryshme të deklarimeve publike mbi rastet e caktuara gjyqësore”, ka shtuar Cakolli.

Kryeministri Albin Kurti, në një postim në Facebook, vlerësoi se avancimi i Kosovës për 20 pozita në raportin e “Transparency International” për korrupsionin është reflektim e punës dyvjeçare të Qeverisë së tij.

“Nëse këtë progres do ta përkthenim në shpejtësinë e lëvizjes, për 8 vjet Kosova ishte duke lëvizur në shpejtësinë e parë, kurse me qeverinë tonë në dy vjetët e fundit jemi në shpejtësinë e 20-të. Ky është potenciali që kemi si shtet e si shoqëri. Kjo është shpejtësia me të cilën mund të ecim e duhet të ecim drejt të ardhmes kur qeverisim pastër, me dije e me integritet”, ka shkruar Kurti në Facebook. Sipas tij, populli dhe shteti kanë potencial më shumë se kaq.

“Ky potencial ishte mohuar nga elitat politike të korruptuara, që duke e pasuruar veten na e vidhnin të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të qeverisim mirë e ndershëm. Do të vazhdojmë të realizojmë pritjet e qytetarëve e të kryejmë detyrat tona. Bashkë do të avancojmë demokracinë, do të rrisim mirëqenien, do të përmirësojmë imazhin dhe të fuqizojmë Republikën tonë”, ka shtuar ai.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkroi se progresi i arritur është reflektim i qeverisjes me duar të pastra.

“Qeverisja jonë me duar të pastra, pa tenderë të fiksuar më parë, pa nepotizëm, pa ndërhyrje në sistemin e drejtësisë reflektohet në këtë indeks global, por edhe në raporte të tjera ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është renditur e dyta pas Malit të Zi, ndërkaq ka lënë pas Serbinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën.