LAJMET E MBRËMJES

Të enjten Kuvendi shqyrton tërheqjen e Trustit, LVV-ja mbetët kundërshtuese

Të enjten, ligjvënësit do të shqyrtojnë kërkesën e 17 mijë qytetarëve për tërheqjen e deri në 30 për qind të kursimeve pensionale të Trustit. Kundër miratimit të kësaj kërkese është shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila. E shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar mbështetje nga ligjvënësit për miratimin e projektligjit. Nismën e qytetarëve e kualifikoi si rezultat të mospunës së Qeverisë për t’i mbështetur qytetarët pas rritjes së inflacionit

Pas pushimit trejavor, deputetët do të kthehen të mërkurën për nisjen e sesionit pranveror. E një ditë më pas, ata do të shqyrtojnë peticionin për tërheqjen e deri në 30 për qind të kursimeve pensionale, të nënshkruar nga 17 mijë qytetarë.

Kërkesa për tërheqjen e Trustit, në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur të hënën, u vendos si pikë e parë për shqyrtim në seancën e së enjtes.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, kërkoi mbështetjen e ligjvënësve për kalimin e projektligjit për Trustin në lexim të parë. Ai këtë nismë të qytetarëve e kualifikoi si rezultat të mosintervenimit të Qeverisë për t’i mbështetur qytetarët pas rritjes së inflacionit.

“Inflacioni aq i lartë që ka arritur në vendin tonë, pagat janë zhvlerësuar dhe nuk arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet qofshin të një familje të policit, të një arsimtarit, qofshin të profesorit, qofshin të mjekut, dhe shpresojë që të kalojë në lexim të parë e të mos refuzohet”, ka theksuar Tahiri.

E shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se kjo parti nuk e mbështet tërheqjen e Trustit, pasi e sheh si zgjidhje afatshkurtër.

Të dy deputetët foltoren e shfrytëzuan edhe për të dhënë qëndrime në lidhje me dialogun dhe themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Çështja e asociacionit tek ne ka qenë një çështje që qëndrimi është i qartë, që asociacioni një etnik nuk është që mbështetet nga grupi ynë parlamentar apo nga subjekti politik në pushtet. Arsyeja është se konsiderojmë që një etniciteti nuk është parim mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës e me të cilin avancohet interesat e cilido komunitet”, ka deklaruar Kusari Lila.

E Tahiri tha se opozita nuk do të përzihet në çështjen e Asociacionit.

“Nuk është në natyrën e partive opozitare që të bëjnë propozime të tilla, sepse ne jemi parti opozitare që nuk e udhëheqim vendim dhe nuk do të marrim atribute, të cilat nuk i takojnë një partie opozitare, ne si të bëhemi pjesë e një agjende që ka qenë jo transparente”, është shprehur Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së shtoi se Qeveria e ka vendosur vendin në një pozitë të pafavorshme sa i përket dialogut me Serbinë. Sipas tij, Qeveria nuk ka arritur ta shtyjë përpara idenë për marrëveshje me njohje reciproke në qendër.