LAJMET E MBRËMJES

Për vrasjen bashkëshortes Haxhiaj dënohet me 15 vjet burgim edhe në rigjykim

Ilir Haxhiaj, i akuzuar për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor që ka rezultuar me vdekjen e bashkëshortes së tij, Hatije Dina, është dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prizrenit. Trupi gjykues në leximin e aktgjykimit ka pohuar se gjatë këtij shqyrtimi janë marrë për bazë vërejtjet e Gjykatës Supreme, e cila e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykimin dënues ndaj të akuzuarit Ilir Haxhiaj, për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor që ka rezultuar me vdekjen e bashkëshortes së tij, Hatije Dina

Haxhiaj është dënuar me 15 vjet burgim.

Trupi gjykues ka vlerësuar se i akuzuari është fajtor se më datën 31 maj 2019 në dalje të fshatit Samadrexhë e sulmon fizikisht viktimën, duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson lëndime, nga të cilat më vonë vdes në QKUK më 15 qershor 2019.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi ka pohuar se gjatë shqyrtimit janë marrë për bazë vërejtjet e Gjykatës Supreme, e cila e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

“I akuzuari Ilir Haxhiaj, me shënimet personale si në shkresat e lëndës, është fajtor për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të KPK, andaj Gjykata konform dispozitave të nenit 7, 17, 38, 40, 42, 69, 79 në lidhje me nenin 186 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të KPK e gjykon me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 viteve...", ka deklaruar Skenderi.

Sipas saj, në bazë të udhëzimeve të Gjykatës Supreme, në rigjykim, është bërë edhe ri-konstruktimi i vendit të ngjarjes.

“Gjykata në rastin konkret ia fali besimin ekspertit të komunikacionit dhe gjetjes se tani e ndjera nuk është hedhur vet nga automjeti, por të njëjtën e ka nxjerrë i akuzuari Ilir Haxhiaj, duke i shkaktuar dëmtime të rënda trupore nga të cilat edhe më vonë e njëjta ndërron jetë. Andaj bazuar në këto fakte të vërtetuara, Gjykata të akuzuarin e shpalli fajtor për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor...”, është shprehur Skenderi

Avokati i palës së dëmtuar, Zahir Hamza, ka deklaruar se vendimi i gjykatës është meritor, bazuar në kualifikimin e veprës që është bërë nga Prokuroria, duke përkujtuar se e pati kundërshtuar këtë kualifikim, meqë kërkonte që rasti të cilësohej si vrasje.

“Si përfaqësues i palës së dëmtuar do të mundohem që ti shikojmë të gjithë mundësitë ligjore dhe do të shohim a do të bëjmë një ankesë ose jo. Kjo i mbetet kohës dhe analizës së aktgjykimit”, ka thënë Hamza.

Gjykata Themelore në Prizren në shkurt të vitit 2021 të akuzuarin Haxhiaj e kishte dënuar me 15 vjet burgim për këtë vepër penale.

Pas ankesave në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë e kishte vërtetuar. Mirëpo Gjykata Supreme pati miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke e kthyer rastin në rigjykim në Gjykatën Themelore në Prizren.