LAJMET E MBRËMJES

Gazi në Kuvend, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Të pafajshëm për akuzat rreth futjes së gazit lotsjellës në Kuvend më 2016, u deklaruan të enjten katër të akuzuarit. E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i kualifikoi politike akuzat që u vihen në barrë asaj dhe tre ish-deputetëve të tjerë të Kuvendit

Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu janë deklaruar të pafajshëm rreth akuzave për posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve, në rastin e futjes së gazit lotsjellës në Kuvend, në shkurt të 2016-s.

Rasti kundër tyre është kthyer në rigjykim në Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas ankesave të palëve në Apel.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas deklarimit të të katër ish-deputetëve rreth fajësisë, i kualifikoi si politike akuzat e Prokurorisë Themelore të Prishtinës teksa shtoi se Prokuroria nuk ka konfirmuar se gjërat e sekuestruara janë armë.

“Konsideroj që aktakuza është e pabazë, është e padrejtë, por është edhe politike. Ka nisur ashtu, tash sigurisht që kam pritur që prokurori të tërhiqet nga kjo aktakuzë... Asnjëherë nuk e kam parë një dokument që vërteton që gazi lotsjellës është armë”, ka thënë Haxhiu.

Arianit Koci, avokati i deputetit Lekaj, paraqiti vërejte rreth provova jokonkrete lidhur me rastin.

“Qe shtatë vjet klienti im po mbahet në procedurë me një situatë të paqartë dhe me prova të pakonkretizuara, ashtu siç edhe pohon Gjykata e Apelit”, ka thënë Koci.

E ish-deputetja Kadaj-Bujupi i cilësoi akuzat ndaj të katër të pandehurve si jo të mbështetura mirë dhe të padrejta.

“Mua më është mohuar edhe e drejta për kandidim, edhe jam dëmtuar edhe në karrierë edhe në angazhim profesional. Po kërkoj që prokurori sot, para këtij trupi gjykues, të tregojë se me çfarë mbahem për shtatë vjet në këtë rast”, është shprehur ajo.

Prokurori Ilaz Beqiri ka thënë se policët e rastit e kishin ngatërruar fletë-kthimin me fletën e marrjes së bombolave të gazit lotsjellës, në rastin e Lekajt.

“Këtë çështje penale e kam pasur në dorë, ndoshta me dhjetëra herë, mirëpo te vërtetimi mbi marrjen e sendeve asnjëherë nuk më ka rënë në sy që vërtetimi mbi marrjen e sendeve nga i pandehuri Pal Lekaj është i emërtuar me ‘vërtetim mbi kthimin e sendeve’. Gjësendi është i sekuestruar, ruhet në dhomën e dëshmive dhe nuk i është dhënë të pandehurit Pal Lekaj”, ka thënë Beqiri.

Për këtë, ai propozoi të dëgjohet polici hetues, Destan Rukolli, me qëllim të sqarimit të rrethanës.

Trupi gjykues e aprovoi propozimin, ndërkaq vendosi që të bëhet një ekspertizë balistike për gjësendet e sekuestruara.

Bazuar në aktakuzën e 2016-s, të akuzuarve u janë gjetur e sekuestruar në kontrollin e Kuvendit nga një bombolë gazi lotsjellës, të mbajtur pa autorizim.

Gjykata në Prishtinë, në majin e 2021-s mori vendim lirues ndaj të akuzuarve pasi vlerësoi se nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale, në mungesë të ekspertizës që tregonte se gjërat e sekuestruara definoheshin si armë.

Apeli e ktheu rastin në rigjykim në fund të vitit të kaluar, pasi gjeti shkelje thelbësore të dispozitave penale. E seanca e radhës është caktuar për 10 shkurt.