LAJMET E MBRËMJES

Refuzohet kërkesa e Serbisë për kthim të trupave në Kosovë

Vuçiqi ka akuzuar misionin e KFOR-it se është i ndikuar nga politika e shteteve perëndimore. Ai paralajmëroi edhe “një kundërpërgjigje”, por nuk specifikoi për çfarë planifikon. Serbia i shtroi kërkesë KFOR-it për kthim të deri në 1000 trupave të saj me pretendimin se siguria e serbëve po rrezikohet dhe me pretendimin se kjo ka bazë në Rezolutën 1244

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka refuzuar kërkesën e Serbisë për kthimin e ushtarëve serbë.

Përgjigjja e KFOR-it është bërë e ditur të dielën nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dy ditë pasi e pranoi me shkrim.

Në një intervistë të dielën për TV “Pink”, Vuçiqi u shpreh se KFOR-i ka bërë një gabim me këtë refuzim.

“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Kosovës e Metohisë, duke iu referuar Rezolutës 1244. Por, ata nuk i janë referuar pjesës së Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën. Ata i janë thirrur normës për të ruajtur rendin. Kanë bërë një gabim tjetër”, deklaroi Vuçiqi.

Pas refuzimit të KFOR-it, Vuçiqi ka folur për “një kundërpërgjigje”, por nuk ka specifikuar se çka, derisa ka akuzuar misionin e NATO-s për ndikim politik.

“Udhëheqja e tyre brengoset për zgjidhje politike, për anëtarët e NATO-s që kanë organizuar gjithë këtë, dhe jo për sigurinë reale. Ata janë vetëm vegla politike në duart e fuqive më të mëdha perëndimore dhe do ta shohim se cila do të jetë përgjigja jonë. Do të presim dhe do të tregojmë edhe në cilat vende nuk mbrojtën jetën e serbëve”, ka thënë presidenti i Serbisë.

Ai ka përmendur mundësinë e thirrjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të OKB-së, por që përveç Rusisë, nuk është shprehur optimistë se mund të marrë mbështetje edhe nga ndonjë shtet.

“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurti, të komentojë se si na refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Vuçiq.

Për refuzimin e kërkesës së Serbisë, ka reaguar edhe kryeministrja Ana Bërnabiq. Ajo ka paralajmëruar se do të kërkojë garanci shtesë për sigurinë e serbëve në Kosovë.

"Realiteti nuk është vetëm se serbët nuk ndihen të sigurt, por se ata nuk janë të sigurt”, ka thënë ajo. “Dhe pastaj dëgjojmë se dikush mund të shqetësohet për të ardhmen e serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe se e vetmja ndihmë që nuk nevojitet është mbështetja e forcave serbe. Mbështetja e shqiptarëve, gjermanëve, holandezëve dhe të gjithëve është e mirëseardhur. por ndihma e forcave serbe nuk është e mirëseardhur”.

Institucionet në Serbi i kërkuan KFOR-it që të lejojë kthimin e rreth 1 mijë pjesëtarëve të ushtrisë e policisë serbe në Kosovë. Si arsye u përmend situata në veri ku gjatë dhjetorit serbët i barrikaduan rrugët për 20 ditë, ndërkohë si bazë u përmend Rezoluta 1244.

Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, i cili sipas autoriteteve kosovare dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Kërkesa iu dorëzua KFOR-it në mesin e dhjetorit, pas miratimit fillimisht në Qeveri. Derisa për më shumë se dy javë ajo është shqyrtuar nga misioni i NATO-s, për të iu dorëzuar autoriteteve serbe të premten në pikë kalimin kufitar në Merdar.

Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.

Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë. Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.