LAJMET E MBRËMJES

Vetëvendosje e përmbyll vitin me lavde për punën e bërë në Kuvend

Përfaqësues të partisë në pushtet, në konferencën përmbyllëse të vitit 2022, kanë lavdëruar punën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvend. Teksa i numëruan ligjet e rëndësishme që morën miratimin e deputetëve gjatë vitit, e kualifikuan si më sfidues mosmiratimin e Kodit Civil. Shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari Lila, u shpreh optimiste se do të gjendet një konsensus për sigurimin e miratimit të tij gjatë vitit të ardhshëm

110 ligjeve u kanë dhënë miratimin deputetët gjatë vitit 2022, bazuar në evidencën e ligjeve të Kuvendit të Kosovës.

Meritat për punën e bërë në Kuvend, përfaqësues të partisë në pushtet të martën ia atribuuan Lëvizjes Vetëvendosje, në konferencën përmbyllëse të 2022-tës.

E kualifikuan si më produktiven ndonjëherë legjislaturën e tetë, ani se pa u miratuar kanë mbetur edhe 50 projektligje nga ky dhe nga viti i kaluar.

“Duhet ta veçojmë, është puna më produktive që është bërë ndonjëherë në kuptimin e miratimit të ligjeve në të gjitha legjislaturat e kaluara të Kuvendit të Kosovës. Ligjet e rëndësishme të miratuara këtë vit, përveç agjendës evropiane, janë edhe ligjet e reformës në drejtësi”, ka theksuar deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.

Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka numëruar projektligjet më të rëndësishme dhe marrëveshjet ndërkombëtare më me peshë që kanë siguruar miratimin gjatë vitit.

“Ligjet me prioritet për agjendën evropiane të cilat janë miratuar në Kuvendin e Kosovës janë: Kodi i Procedurës Penale, Ligji për Financimin e Partive Politike, Projektligji për deklarimin origjinën dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave për zyrtarët publikë, Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse për agjencitë e pavarura , kjo ka të bëjë dhe është e lidhur drejtpërdrejt me reformën në administratën publike, e cila më pastaj është plotësuar me miratimin e dy projektligjeve të rëndësisë së veçantë për punën e Kuvendit, Projektligji për zyrtarët publikë dhe Projektligji për pagat”, ka thënë Kusari-Lila.

Si më sfidues për punën e legjislaturës ajo e radhiti mosmiratimin e Kodit Civil, kundër të cilit kanë dalë edhe disa deputetë nga pushteti. Kusari-Lila u shpreh optimiste për gjetjen e një kompromisi që do të çonte drejt miratimit të Kodit Civil gjatë vitit të ardhshëm.

“Unë jam e bindur, si kryetare e grupit parlamentar, që do të kemi një proces të suksesshëm. Për të gjitha të tjerat pritet kur të miratohet në Qeveri dhe të sillet sërish në Kuvend”, është shprehur Kusari-Lila.

Gjatë vitit, Kuvendi ka zhvilluar 56 seanca plenare, teksa punimet për sesionin pranveror pritet t’i fillojnë më 16 janar.