LAJMET E MBRËMJES

Dy hidrocentraleve iu ndërpre puna, 14 të tjera operojnë pa leje

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar Raportin e auditimit të performancës së hidrocentraleve të licencuara dhe ndikimin e tyre në mjedis. Në këtë raport është konstatuar se 14 hidrocentrale operojnë pa leje mjedisore, të cilat rrezikojnë mjedisin dhe ujërat

Vetëm 2 prej 14 hidrocentraleve që operojnë pa leje mjedisore u është ndaluar puna, ka konstatuar raporti i auditimit të performancës i quajtur: “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”.

Sipas këtij raporti, që u diskutua të martën në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, hidrocentralet ilegale po rrezikojnë mjedisin dhe ujërat.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pati shumë vërejtje për ministrin e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu. Po ashtu, edhe pyetje.

“Ministër, sot i keni rreth 14 hidrocentrale apo edhe më shumë të cilat operojnë pa leje mjedisore. Kështu që na tregoni sa hidrocentrale sot janë aktive, e që nuk kanë leje mjedisore, të cilat janë duke prodhuar dhe shfrytëzuar ujërat pa leje mjedisore. Dhe, po ashtu, ka ndonjë hidrocentral që ju e keni mbyllur për mungesë të lejeve mjedisore”, ka pyetur Bajrami.

E ministri Aliu tha se janë 15 vendime për ndalim të veprimtarisë së hidrocentraleve në mungesë të lejeve mjedisore.

“Për 2 prej tyre ka vendime prej gjykatës për ndalim. Prej raportit të Inspektoratit që e kemi ne, kemi ndalime të operimeve për këto hidrocentrale. Me përjashtim të atyre me vendim të gjykatës, të cilat janë ndalur që në fillim, te rastet e tjera nuk mund të themi që janë ndalur”, ka thënë Aliu.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërkohë u shpreh se në strategjinë për energji që pritet të dërgohet në Kuvend së shpejti, nuk parashihen investime të tjera në hidrocentrale.

“Në Strategjinë për energji 2022-3031, të cilën së shpejti do ta sjellim në Kuvend, parashihen 1300 megavat kapacitete të reja nga burime diellore dhe nga era. Pra, jo kapacitete të reja ujore, duke marrë parasysh problemin me të cilin po përballemi deri tani”, theksoi Rizvanolli.

Kryetarët e komunave në këtë takim thanë se duhet të rritet efikasiteti në trajtimin operatorëve ekonomikë.

Bedri Hamza, kryetar i Mitrovicës, deklaroi se qyteti që udhëheq ka nevojë për shtimin e kapaciteteve prodhuese prej energjisë së ripërtëritshme.

“Ne duhet të jemi efikas në kohë për trajtimin e kërkesave të operatorëve ekonomikë, sepse përndryshe edhe investitorët nëse përballen me vonesa, burokraci, sigurisht se nuk mund të kemi investitorë seriozë në këtë fushë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka hequr përgjegjësinë për atë që është ndërtuar në këtë komunë.

“Deçani sanksionohet me një ligj, që është Ligji për zonat e veçanta. Po ashtu, është një ligj mbi parkun nacional. Përgjegjësia jonë si komunë nuk ka qenë për këto hidrocentrale”, theksoi Ramosaj.

Gjatë shqyrtimit të këtij raporti, u tha se Kosova ka kapacitete të limituara të ujit, andaj dhe duhet të kihet kujdes në lëshimin e lejeve për hidrocentrale.