LAJMET E MBRËMJES

Zhduken mostrat e Astrit Deharit, pezullohen nga puna 4 zyrtarë të Mjekësisë Ligjore

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit. Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me zhdukjen e mostrave, e partia opozitare, PDK, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Haxhiu. Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar të enjten se 12 mostra të Astrit Deharit janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sipas saj, vetëm tre persona kishin qasje në vendin ku ruheshin mostrat tash e sa vjet.

Ndërkohë, në orët e mbrëmjes janë pezulluar nga puna katër zyrtarë të Institutit.

“Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, toksikolog mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, dhe Ilirjana Shala, kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi më 8.12.2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë. Teksa Prokuroria atëkohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.

Haxhiu ka thënë se për rastin është njoftuar të mërkurën në mbrëmje, ndërsa nuk dihet se kur janë zhdukur mostrat nga Laboratori i Toksikologjisë, pasi kontrolli i fundit që është bërë në këtë laborator ka qenë në tetor të vitit të kaluar.

“Në momentin që kanë qenë duke i bartur nga frigoriferi i vjetër në frigoriferin e ri, i kanë kontrolluar, i kanë parë, janë bazuar në lëndët që i kanë pasur më të vjetra, 2014-2014-2016 janë marrë dosjet. Rastet janë aty me kod, kur e kanë pa kodin dhe kanë shkuar në databazë, ka përkuar me rastin Dehari”, ka thënë Haxhiu.

Këtë veprim Haxhiu e ka quajtur kriminal. Ajo ka thënë se me rastin janë duke u marrë organet e drejtësisë.

“Në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, sipas informacioneve vetëm tre persona i kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat”, ka thënë Haxhiu, e cila shtoi se autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht.

Sipas Haxhiut, ky veprim ka për qëllim që të dështojë përfundimisht procesi hetimor për vdekjen e Deharit.

“Çdokush që ka ndjekur sado pak rastin e Astrit Deharit e ka të qartë se përgjatë gjashtë vitesh, të gjitha provat, dëshmitarë e çdo rrethanë e faktor janë munduar të shtrembërohen, zhduken apo të eliminohen. Njëjtë ka ndodhur edhe me këdo që ka pasur vullnet për ta zbardhur këtë rast, mjekë, ekspertë që përgatitën raportin e veçantë mbi të gjeturat e raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër”, ka thënë ajo.

Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit. Kryeprokurori Blerim Isufaj ka konfirmuar se hetimet kanë nisur për këtë çështje.

Haxhiu, po ashtu, ka drejtuar kritika për mungesë të kredibilitetit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Sipas saj, problemi në këtë institucion qëndron te raportet ndërkolegiale, që sipas saj veprojnë në kundërshtim me ligjin.

“Siguria në IHML asnjëherë nuk ka qenë në nivel, mbi të gjitha edhe me përpjekjet e tanishme ende nuk është në nivelin e duhur. Kemi dërguar edhe më herët raporte në Prokurori, pikërisht për raportet ndërkolegiale që kanë dëmtuar procese të tilla, por tani kanë kaluar çdo kufi”, ka thënë ajo, e cila shtoi se do të ndërmerr veprime edhe ndaj menaxhmentit të lartë të këtij institucioni.

Ndërkohë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Haxhiu.

“Një popull e keni terrorizuar duke abuzuar me rastin e Astritit derisa keni ardhë në pushtet. Nuk ka justifikime më”, ka shkruar Musliu në profilin e saj në Facebook.

Shkarkimin e ministres kjo parti e ka kërkuar edhe përmes një konference për media. Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në PDK, ka thënë se zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e Haxhiut.

“Ashtu siç kanë kapur shumë institucione të tjera, Qeveria Kurti ka kapur dhe është duke kontrolluar edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prandaj mostrat e humbura të rastit Dehari sot janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë dhe e pamohueshme e ministres së Drejtësisë”, ka thënë ai. “Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka pasur për qëllim asnjëherë që të zbardhë të vërtetën e këtij rasti, por ta përdorë atë për betejat e saj politike”, shtoi Gruda.

Janë bërë gjashtë vjet që kur ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje ka vdekur në rrethana deri tani të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Në vitin 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.

Më 1 prill të vitit 2022, Prokuroria Speciale e Kosovës pranoi raportin nga Zvicra. Sipas Prokurorisë, në raport shkruan se nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, nuk kanë treguar profil të ADN-së përveçse të vetë atij.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i avokatit të familjes Dehari, Tomë Gashi, i cili kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të mos “manipulojë” me këtë rast.

“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregojë se a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a ka marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve, të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë”, pati shkruar ai në Facebook.