LAJMET E MBRËMJES

Deputetë të VV-së akuzojnë Aliun se po amniston mafinë e ndërtimit

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë dalë kundër në seancën e Kuvendit ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu. Ligjvënësit e pushtetit patën përplasje të shumta me Aliun për shkak të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për ndërtimet pa leje, të cilët e akuzuan ministrin se ka ndërruar qëndrim. Për këtë projektligj që nuk i dhanë mbështetje disa deputetë të LVV-së, pro votoi opozita.

Si rrallëherë në seancat e Kuvendit, Qeveria u përball me deputetët e saj e u mbështet nga ata të opozitës.

Polemika të shumta mes ministrit Liburn Aliu e disa deputetëve të Vetëvendosjes ka nxitur Projektligji për ndryshimin e Ligjit për ndërtimet pa leje.

Sipas disa ligjvënësve të Vetëvendosjes, me projektligjin e sponsorizuar nga ministri i Infrastrukturës, do të amnistohet mafia e ndërtimit.

“Unë mendoj e bën amnistimin e atyre keqpërdoruesve që shpeshherë janë quajtur edhe mafia e betonit, por gjithashtu edhe amnistim i zyrtarëve publikë që e kanë lejuar degradimin”, ka thënë deputeti i VV-së, Dimal Basha.

“Zoti ministër kërkoj që fjalimin e z.Basha ta merrni seriozisht, unë jam në përkrahje të plotë”, ka thënë deputeti tjetër Haki Abazi.

“Në parim, është një ligj i padrejtë, që i amniston ndërtuesit pa leje, është një ligj që i diskriminon ata që kanë ndërtuar me leje në situatën që ka qenë shumë e vështirë të ndërtohet me leje... Por në kuptimin e banorëve që i shfrytëzojnë sot ato, banesa ne duhet t’u bëjmë zgjidhje. Dhe, unë mendoj që ky duhet të jetë prioriteti kryesor i yni”, ka thënë Aliu në përgjigje.

Debati vazhdoi edhe më tej kur deputeti Basha, ministrin Aliu e ballafaqoi me fjalët e veta që i kishte thënë në Kuvend tre vjet më parë për të njëjtin ligj.

“Në seancën e 12 korrikut vetë ministri ka thënë që do të jetë komplet jofunksional ky ligj, përderisa qeveria juaj, për Qeverinë Haradinaj atëherë, nuk i ndal ndërtimet pa leje, edhe të vetat, edhe në krejt Kosovën”, ka deklaruar Basha.

“Projektligji diskriminon ndërtues me leje në krahasim me ata që kanë ndërtuar pa leje, atë e them edhe tash. Por, ama është i domosdoshëm, sepse 75 për qind të ndërtimeve në Kosovë janë pa leje”, ka thënë Aliu.

“Po thotë është diskriminues, unë s’po besoj që ne si Kuvend duhet të kalojë ligje diskriminuese këtu”, është përgjigjur Basha.

“Ministria dhe komunat s’po bëjnë asgjë në këtë aspekt. Vetëm po shikojnë seri”, ka shtuar deputeti tjetër i VV-së, Enver Haliti.

Me gjithë kërkesat e deputetëve të LVV-së që Ligji të kthehet në Qeveri, ai sërish doli në votim dhe u miratua edhe me votat e opozitës.

Në një seancë të jashtëzakonshme paraprakisht, Kuvendi e ka miratuar edhe propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë.

Lidhur më këtë opozita pati kritika të shumta ndaj Qeverisë e ministres Rizvanolli për mosgjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga gjendja emergjente, por ajo zgjodhi të mos u përgjigjet atyre.