LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Bandat kriminale të Vuçiqit po e synojnë përshkallëzim e situatës në Kosovë

Presidentja Vjosa Osmani ka fajësuar homologun e saj serb, Aleksandar Vuçiq, për shpërthimet e sotshme në veri të vendit.

Sipas Osmanit, grupet e përkrahura nga Vuciqi, po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën dhe Ballkanin.

“Për fat të keq sikurse edhe në shumë raste paraprake, situate në veri përshkallëzohet për një arsye të vetme, sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuciqi politikisht e financiarisht kanë për qëllim përshkallëzimin e situatës, kanë për qëllim destabilizimin e tërë Kosovës, rrjedhimisht kanë për qëllim ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe”, tha Osmani.

Duke mos dhënë më shumë hollësi rreth zhvillimeve në komunat me shumicë serbe, presidentja Osmani ka thënë se është në pritje të raportit të plotë nga institucionet e sigurisë.

Të martën, zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore në komunat me shumicë serbe janë demoluar, në përpjekje për t’ua pamundësuar zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të futen në to dhe t’i funksionalizojnë.

Zhvillimet kanë ngjallur reagime edhe të opozitës.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti sqarime për situatën.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se janë në terr informativ nga Qeveria.

“Qeveria po na mban në terr informativ. Lajmet e vetme për zhvillimet në veri të vendit po i marrim nga mediat. Kryeministër çka po ndodh? A ka pasur eksplodime ? A ka pasur ndjekje të personelit të KQZ-së? Fol kryeministër, a po kalon Serbia?” – tha Çitaku.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Kurti, është duke u nxituar me veprimet e ndërmarra.

“Çka po të ngutet o Albin Kurti me krejt planet, punët e veprimet që po i bën, qoftë duke provuar zgjedhje fiktive në veri, qoftë duke emëruar ministra me urgjencë, qoftë duke kundërshtuar tabela... e gjithmonë duke u tërhequr si dje e si sot e duke e nxjerrë Kosovën humbëse!” – tha Haradinaj.

Zhvillimet në komunat me shumicë serbe, sipas hulumtuesit të Institutit Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli, zbehin mundësitë e mbajtjes së zgjedhjeve atje.

“Një prej parimeve kyç ndërkombëtare mbi zgjedhjet është votimi i lirë. E votimi s'mund të jetë i lirë kur ka më shumë policë të angazhuar sesa votues nëpër qendra të votimit. KQZ-ja nuk po arrin që t'i dërgojë trupat menaxhuese të zgjedhjeve as nëpër objektet përkatëse të KKZ-ve në komunat veriore. Madje, edhe forcat speciale policore po dështojnë në këtë drejtim. Bazuar në këtë situatë, si mund të presim që KQZ-ja do të arrijë t'i hapë shkollat dhe qendrat e tjera të votimit në ditën e zgjedhjeve? Si do të garantohet siguria e komisionerëve, sidomos nëpër zona të largëta në veri? Si do t'u mundësohet qytetarëve votimi pa presione? Si do të garantohet integriteti i rezultateve? Ka shumë pyetje të tilla, të cilave është dashur t'u ofrohen përgjigje, para se presidentja t'i shpallë zgjedhjet. Tash, hapësira e veprimit për KQZ-në vetëm po ngushtohet, e mundësitë reale për mbajtjen e zgjedhjeve po zbehen. Institucionet qendrore nuk guxojnë të jenë indiferente ndaj situatës në terren. Tentimi për t'ia lënë KQZ-së përgjegjësinë për gjithçka atje është i gabuar. Fundja, edhe KQZ-ja e ka të lehtë vendimmarrjen nga Prishtina. Por, çka me ata në veri se?” – tha Cakolli.

Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore do të mbahen më 18 dhjetor, derisa për Kuvend Komunal në Zveçan e Leposaviq më 25 dhjetor.