LAJMET E MBRËMJES

Gjobitja e qytetarëve serbë për targa ilegale një ditë më vonë nga që ishte paralajmëruar

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjobitja për pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Kosovës me targa ilegale do të fillojë nga data 22 nëntor dhe jo nga data 21, ashtu siç është përcaktuar me vendim të Qeverisë. Fillimi i kësaj faze përkon edhe me takimin urgjent të nivelit të lartë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin do të diskutohet edhe çështja e targave. Nga shoqëria civile në Mitrovicë presin që të ketë një marrëveshje në Bruksel, që shtyn afatin për regjistrimin e veturave.

Ngasësve të veturave me targa ilegale u është dhënë edhe një ditë afat për konvertimin e targave, në mënyrë që t’i ikin gjobës prej 150 eurosh.

Edhe pse faza e gjobitjes parashihej që të fillonte mesnatës e së dielës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kjo do të fillojë nga 22 nëntori.

Aty nuk është dhënë asnjë sqarim lidhur me shtyrjen për një ditë të zbatimit të këtij vendimi.

Por fillimi i kësaj faze përkon edhe me takimin e nivelit të lartë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse fillimi i fazës së gjobitjes ishte paralajmëruar se mund të përcillet me tensione, rruga që shpie në pikën kufitare në Jarinjë të dielën ishte e qetë.

Vetura të shumta me targa ilegale mund të hasësh në hyrje-dalje të kësaj pike.

Me të hyrë brenda territorit të Kosovës targave iu vendosnin stikerë, e në dalje i largonin ato.

Qytetarët që hynë në këtë pikë kufitare nuk pranuan që të flasin para kamerës rreth vendimit të Qeverisë.

Që nga 1 nëntori, Policia e Kosovës ka lëshuar mbi 1 mijë e 740 qortime për qytetarët serbë që nuk i kanë konvertuar targat nga ato ilegale në RKS.

Miodrag Miliçeviq, drejtor në organizatën “Aktiv” që vepron në Mitrovicën e Veriut, ka shprehur optimizmin se në Bruksel do të arrihet një marrëveshje dhe Kosova mund ta shtyjë afatin për riregjistrim të veturave.

“Pres që të vazhdohet me qortimet për ngasësit për disa muaj derisa të dy palët të merren vesh përfundimisht. Ne jemi në krizë të thellë, në krizë institucionale. Mitrovica Veriore pas tërheqjes së deputetëve dhe shërbyesve civilë po përballet me zbrazëtirë institucionalë. Kjo zbrazëtirë ende nuk është mbushur dhe është shqetësim i madh në rast të zgjatjes së krizës, do të shkaktojë pasoja më serioze”, ka thënë Miliçeviq.

Sipas tij, minoriteti në Mitrovicë është në pozitë të vështirë, ndërsa fajin për këtë, sipas tij, e ka kryeministri Kurti.

“Duhet të përsëris se skenari më i mirë në situatën e tanishme është më shumë kohë që të vazhdohen negociatat, kësaj radhe lista është zgjeruar. Që do të thotë serbët dhe Beogradi dëshirojnë që përveç targave të negociohet edhe Asociacioni i komunave serbe. Në rast të dështimit dhe për të arritur kompromisin për situatën aktuale, do të thellojë situata e sigurisë dhe definitivisht do të ketë krizë të re në Veri, por në këtë periudhë këtë gjendje asnjëra palë nuk do ta dëshironte”, ka shtuar tutje ai.

Shkaku i vendimit për targa, serbët në katër komunat veriore të Kosovës më 5 nëntor kanë dhënë dorëheqje nga institucionet.

Kusht për kthimin në punë e kanë moszbatimin e këtij vendimi dhe fillimi i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.