LAJMET E MBRËMJES

AAK-ja kërkon rritje të pagave për 30 për qind në sektorin publik

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me buxhetin për 2023 do të kërkojë rritje të pagave prej 30 për qind në sektorin publik. Këtë do ta bëjë përmes një amendamenti, si kundërpërgjigje për mospërfshirjen e kostos së Ligjit për paga në këtë buxhet. Ajo ka akuzuar Qeverinë për mashtrim të punonjësve të sektorit publik lidhur me Ligjin e pagave. Ligji i pagave ende nuk është dërguar as në Qeveri për votim. Kritika për buxhetin gjatë së martës pati edhe nga LDK-ja

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar rritje të pagës deri në 30 për qind për zyrtarët publikë me buxhetin e vitit 2023, deri në miratim të Ligjit për paga.

Shefi i këtij grupi, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të martën, teksa ka akuzuar Qeverinë për mashtrimin e mbi 80 mijë zyrtarëve publikë, duke mos përfshirë koston e Ligjit për paga në buxhet, ka thënë se do të propozojnë një amendament që e adreson këtë çështje.

“Qeveria e Kosovës i ka gënjyer të gjithë zyrtarët publikë, 80 mijë njerëz, 80 mijë familje, duke u thënë që do të sjellë Ligjin e pagave të cilin nuk e ka sjellë dhe mbi të gjitha duke mos e vendosur në buxhet. Thënë më troç, e kanë luajtur një lojë shumë të ulët duke mos e sjellë Ligjin e pagave paraprakisht në mënyrë që me thënë që në buxhet të vitit 2023 nuk mund ta fusim buxhetin për Ligjin e pagave dhe koeficientin për shkak se nuk është miratuar ligji”, ka thënë Tahiri.

Ka thënë se do të kërkojnë ngritjen lineare të pagave.

“Amendament i cili lidhet drejtpërdrejt me nevojën për ngritje lineare të pagave të zyrtarëve publikë në të gjitha nivelet 30 për qind, përveç të emëruarve politikë, përveç deputetëve, ministrave dhe anëtarëve të kabinetit, të tjerët pa dallim të kenë ngritje të pagave 30 për qind”, ka theksuar ai.

Ligji për pagat ende nuk është dërguar as në Qeveri për votim.

Buxheti për vitin 2023 në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh do të shqyrtohet në parim të enjten. Por, sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, shkaku i vlerës së inflacionit, që, sipas tij, ishte rreth 20 për qind, buxheti në terma realë është rreth 2.5 miliardë.

“Rrjedhimisht, ky buxhet në terma realë është më i ulët se për vitin 2022 për së paku 300 milionë euro (sivjet ishte 2.8 miliardë euro). Krahasojeni vetë sasinë e mallrave që e keni blerë vitin e kaluar me 100 euro, me sasinë e mallrave që mund të blini sivjet me ato 100 euro. Do të vini në këtë përfundim”, ka thënë Hoti.

Ai ka përmendur edhe disa detaje nga projektbuxheti, duke kritikuar hartuesit e projektligjit.

“Çuditesh me anomali të planifikimit buxhetor për 2023. Ura mbi Drinin e Bardhë në Rogovë të Hasit ka gati dy vjet që është e papërdorshme nga vërshimet e janarit 2021. Ajo urë i lidh shumë fshatra të Hasit me magjistralen Prizren-Gjakovë. Komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës ka vlerësuar se ura është dëmtuar dhe është në rrezik të shembet. Asnjë intervenim nuk është bërë për dy vjet, edhe pse unë e kam ngritur si çështje urgjente edhe në dhjetor të vitit të kaluar, kur është miratuar buxheti i vitit 2022”, ka shkruar Hoti në një postim tjetër të martën.

Ka kritikuar ritmin e punimeve në këtë urë.

“Shihni anomalitë e planifikimit buxhetor: planifikojnë 400 mijë euro për këtë urë për vitin 2023, 600 mijë për vitin 2024 dhe 500 mijë për vitin 2025. Me këtë ritëm, ndoshta kjo urë ndërtohet në vitin 2026. Këta njerëz nuk janë në terezi”, ka thënë ai.

Buxheti për vitin 2023 parasheh 60 milionë euro për shtesat për lehona dhe fëmijë, 296 milionë euro për shëndetësi, 811 milionë euro shpenzime kapitale, 60 milionë euro për barna esenciale, 87 milionë euro për bujqësi, 40 milionë euro për ndërmarrjet publike dhe 123 milionë euro për ushtrinë.