LAJMET E MBRËMJES

Abazi kërkon largimin e Kusari-Lilës nga pozita e shefes së GP të LVV-së

Largimin e Mimoza Kusari-Lilës nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar dhe hapjen e debatit brenda partisë e ka kërkuar deputeti i kësaj partie, Haki Abazi. Pavarësisht kritikave drejtuar bashkëpartiakëve, por edhe Qeverisë për qasjen ndaj sektorit të energjisë, Abazi ka thënë se nuk e ka ndërmend të largohet nga Vetëvendosja

Ankesa të shumta për hapësirën që po u jepet deputetëve brenda Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka shprehur deputeti i kësaj partie, Haki Abazi. Në një konferencë për media, Abazi ka thënë të ketë kërkuar edhe largimin e Mimoza Kusari-Lilës nga pozita e shefes së deputetëve të LVV-së.

“Mungesa e kohezionit, mungesa e vullnetit, mungesa e idesë që një deputet që nuk është pjesë e LVV-së të udhëheqë një grup kaq të madh, sepse dinamikat brenda lëvizjes e bëjnë po ashtu komplekse përfaqësimin e grupit parlamentar. Ka njerëz brenda grupit parlamentar që kanë aftësi dhe durim më të madh për ta udhëhequr grupin parlamentar”, ka thënë ai.

Abazi në mandatin e parë të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Albin Kurti ka qenë zëvendëskryeministër, ndërkaq në këtë mandat është deputet dhe e drejton Komisionin parlamentar për punë të jashtme.

Në konferencën për të cilën tha se do të jetë e përjavshme, ai ka kritikuar edhe strategjinë e Qeverisë për energji. Sipas tij, draft-strategjia për këtë sektor është e njëjta me ato të qeverisjeve të 20 vjetëve të fundit.

“Fakti që edhe kjo draft-strategji e ka kryefjalën te ndërtimi i kapaciteteve të reja të energjisë prej qymyrit, e bën strategjinë në kundërshtim me trendët dhe agjendën e gjelbër të BE-së. Draft-strategjia nuk është në linjë me atë që kërkohet. Nuk ofron asnjë zgjidhje përveç argumenteve të së kaluarës, që është në dëm të madh për shëndetin”, ka thënë Abazi.

Pavarësisht pakënaqësive, ai ka theksuar se nuk e ka ndërmend të largohet nga LVV-ja. Nga partia së cilës i përket ai, ende nuk ka një deklarim përkitazi me kritikat e deputetit të tyre.