LAJMET E MBRËMJES

Riaktualizohet kërkesa për njohjen zyrtare të gjuhës rome në Prizren

Descriptive Text

Gjuha rome, sipas aktivistëve të shoqërisë civile në Prizren, ende nuk e gëzon pranimin dhe mbrojtjen institucionale, ani se është folur tradicionalisht në këtë komunë. Drejtuesit e organizatave joqeveritare nga komuniteti rom të martën u kanë bërë thirrje institucioneve që të aprovojnë kërkesën për njohjen e saj si gjuhë në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit

Aktivistë nga radhët e komunitetit rom, të mbështetur nga kolegët prej komuniteteve të tjera, kanë riaktualizuar të enjten kërkesën që gjuha rome ta fitojë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në Komunën e Prizrenit.

Në shtrimin e kërkesës nga këta aktivistë është theksuar se tradita e përdorimit të gjuhës rome në qytet është e vjetër dhe se në këtë mënyrë është mundësuar që komuniteti ta ruajë identitetin e vet. Ata kanë argumentuar gjithashtu se bazuar në legjislacionin vendor dhe në ato ndërkombëtare, gjuha rome i përmbush kriteret e duhura për të hyrë në përdorim zyrtar.

Fatmir Menekshe, aktivist nga organizata joqeveritare “Durmish Asllano”, ka thënë gjatë një konference për medie të organizuar për çështjen se vazhdimësia e pranisë së gjuhës rome në Prizren daton prej shekujsh dhe se në dekadat e fundit është manifestuar me libra, revista, media, dhe së fundmi edhe me mësimin fakultativ në katër shkolla.

“Kërkesa jonë nuk është fontanë dëshirash apo diçka që ne kërkojmë, por është në përputhje me të gjitha ligjet, me rregulloret, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Kartën Evropiane... dhe duhet të jepet. Duhet të respektohet kjo e drejtë e komunitetit dhe të mbrohet institucionalisht dhe përmes kësaj do të ofrohet një qasje më e lehtë e komunitetit rom në marrjen e shërbimeve”, ka thënë Menekshe.

Osman Osmani, nga OJQ “Nevo Koncepti”, ka vlerësuar se zyrtarizimi i gjuhës rome në Prizren do ta dëshmonte barazinë e komunitetit në trajtimin e të drejtave të komuniteteve. Ai ndërkaq u ka bërë thirrje autoriteteve qendrore dhe atyre lokale që ta përmbushin këtë kërkesë.

“Kjo vetëm e rrit autoritetin e Komunës së Prizrenit dhe mundësinë që edhe pjesëtarët e komunitetit rom të ndihen të barabartë në këtë drejtim. ‘Nevo Koncepti’ dhe anëtarët e organizatave të shoqërisë civile, si dhe aktivistë të Prizrenit u bëjnë thirrje institucioneve qendrore dhe atyre lokale, në rend të parë Komunës së Prizrenit, që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që gjuha rome të njihet si gjuhë zyrtare në përdorim tradicional në Komunën e Prizrenit dhe të krijohet mundësia për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj”, ka deklaruar Osmani.

Kërkesa për formalizimin e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në Prizren ishte parashtruar disa herë gjatë viteve të shkuara, me justifikimin se në këtë mënyrë do të ndikohej në mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, identitetit dhe kulturës rome në qytet. Mirëpo procedurat lidhur me çështjen asnjëherë nuk janë çuar deri në fund. Mbështetur në statutin e Komunës së Prizrenit, në territorin e saj, gjuhë zyrtare aktualisht janë: shqipja, serbishtja, boshnjakishtja dhe turqishtja.