LAJMET E MBRËMJES

IKD: Gjyqtarët joefikasë, dyfishohet numri i lëndëve civile të pazgjidhura

Descriptive Text

Mangësi në trajtimin e lëndëve të natyrës civile nga ana e gjyqësorit janë evidentuar në raportin e publikuar të martën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Bazuar në raportin “Regresi i drejtësisë civile”, ka dalë se gjatë vitit 2021 një gjyqtar ka zgjidhur mesatarisht 214 lëndë, apo 115 më pak sesa që përcaktohet me Rregulloren e Këshillit Gjyqësor. Joefikasiteti i gjyqtarëve, si dhe pranimi i lëndëve të reja, sipas raportit, kanë ndikuar që numri i lëndëve të natyrës civile, nga viti 2018 deri më 2021, të dyfishohet

Joefikasiteti i gjyqtarëve dhe rritja e numrit të lëndëve të reja të pranuara ka ndikuar në dyfishimin e lëndëve të natyrës civile që presin për trajtim prej vitit 2018 deri në vitin 2021, ka treguar një raport i publikuar të martën nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Bazuar në të dhënat nga raporti “Regresi i drejtësisë civile” del se vetëm gjatë vitit 2021 janë pranuar 43.536 lëndë, teksa seancat gjyqësore për mbi 24 për qind të tyre janë shtyrë për shkaqe të ndryshme.

Gzim Shala, hulumtues nga IKD-ja, gjatë prezantimit të raportit ka vënë në pah evidentimin e regresit në trajtimin e lëndëve civile.

“Në punën e divizioneve civile është gjetur se tanimë kemi të bëjmë me një regres të caktuar në kuptim të trajtimit të lëndëve. Krahas problematikave të theksuara, të cilat kanë qenë në sistemin e drejtësisë, në këto problematika jashtëzakonisht shumë ka ndikuar edhe aspekti i institucioneve të administratës publike. Mënyra se si i kanë administruar ato obligime të tyre e ka rënduar edhe gjendjen në sistem të drejtësisë”, ka theksuar Shala, gjatë prezantimit të raportit.

Anesa Hoxha, nga IKD-ja, ka potencuar gjetjen se gjyqtarët nuk e kanë përmbushur normën e lëndëve që duhet t’i zgjidhin ashtu siç u kërkohet me Rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

“Gjatë vitit 2021 kanë qenë rreth 108 gjyqtarë, të cilët janë marrë me lëndë kontestimore, ku nga një gjyqtar kanë arritur të zgjidhen rreth 214 lëndë. Sipas rregullores së KGJK-së, secili gjyqtar është i obliguar që të zgjidh nga 329 lëndë brenda vitit. Në këtë mënyrë, me një mesatare, gjyqtarët kanë zgjidhur 115 lëndë më pak se sa obligimi i tyre sipas rregullores, apo 2 të tretën e normës së tyre orientuese”, ka thënë Hoxha.

Ai ka numëruar edhe rastet, për të cilat seancat gjyqësore janë shtyrë.

“IKD-ja gjatë vitit 2021 ka monitoruar 1.166 raste të natyrës civile. 911, apo 78.1 për qind, janë mbajtur, ndërsa 255 të tjera, apo 21.9 për qind, janë shtyrë. Sipas këtyre të dhënave, i bie që çdo e pesta seancë është shtyrë. Kjo për arsyeje të ndryshme, ku ka kryesuar mungesa e paditësit. Mirëpo, edhe për arsye të gjykatësve. Seancat janë shtyrë në 24.7 për qind të rasteve”, ka bërë të ditur Hoxha.

Përfaqësues të IKD-së e kanë shprehur si shqetësim edhe zgjatjen me vite për zgjidhjen e një lënde.

“Mesatarja e kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallën e parë rezulton të jetë 1.261 ditë. Kjo i bie që për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë, qytetarët duhet të presin 4.3 vjet. Sipas të njëjtës formulë rezulton se edhe Gjykata e Apelit ka probleme të tilla të kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve. Dhe ka rezultuar në 681 ditë. Kështu, nëse llogarisim në total, kohëzgjatja e një lënde civile nga dita e parashtrimit në shkallë të parë e deri në apel, ka rezultuar të jetë 5.3 vjet”, ka thënë hulumtuesja në IKD, Justina Frrokaj.

Mbështetur në të dhënat e raportit të IKD-së, numri i lëndëve të natyrës civile që janë trajtuar gjatë vitit 2018 ka qenë 44.213, ndërkaq në viti 2021 ky bilanc ka arritur në 85.087 lëndë.