LAJMET E MBRËMJES

Osmani kërkon që dialogu Kosovë-Serbi të përqendrohet te njohja reciproke

Presidentja Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin e Bërdo-Brionit, pas të cilit shumë nga liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor shtruan nevojën për marrëveshje sa më të shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë.

Osmani tha se zgjidhja e vetme duhet të jetë njohja reciproke, e homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, dha një interpretim pse shtetit të tij i kërkohet si kurrë më parë që ta pranojë shtetësinë e Kosovës.

“Sigurisht që kemi shumë mospajtime me presidentin Vuçiq dhe kjo ndodh sepse Serbia nuk e pranon realitetin që Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe ky është realitet i pakthyeshëm. Ka shumë gjëra në të cilat nuk pajtohemi, por dialogu duhet të përqendrohet te njohja e ndërsjellë”, tha Osmani.

“E para, askush nuk dëshiron një konflikt të ri në Ballkan, dhe tjetra, ata duan t’ia marrin nga duart Putinit argumentin e Kosovës, të cilin ai e përdori në bisedimet me fuqitë perëndimore dhe ajo është “Nëse ju mund të krijoni një precedent me Kosovën, mundem edhe unë. Ata duan t’ia marrin këtë argument dhe ky është thelbi pse nxitojnë”, tha Vuçiq.

E, në një konferencë të përbashkët presidenti slloven dhe ai kroat janë shprehur mbështetës për dialogun dhe kanë shtruar nevojën që Serbia ta njohë Kosovën.

“E mbështes njohjen e Kosovës dhe aktualisht është joreale për Serbinë për ta njohur Kosovën, ky është vendimi i Vuçiqit dhe i gjithë vendit”, tha presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq.

“Ne kemi kërkuar që të dyja palët të vazhdojnë dialogun dhe të mundohen t’i zgjidhin çështjet, sepse vetëm në këtë formë paqja dhe stabiliteti do të ruhen në rajon”, tha presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.

Në Samitin e Bërdo-Brionit, ku kanë marrë pjesë presidentët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk është diskutuar për dialogun. Fokusi është vënë tek nevoja për ta përshpejtuar procesin e integrimit në BE, e në mesin e gjashtë konkluzioneve të nxjerra është edhe ai për liberalizimin e vizave.