LAJMET E MBRËMJES

Nxit reagime dhunimi i së miturës nga 5 persona, 3 nga të cilët ndodhen në liri

 Një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga 5 meshkuj, një nga të cilët i mitur. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën nuk kanë lëshuar asnjë komunikatë për media pas raportimit të policisë për rastin. E ngjarja ka nxitur shumë reagime, përfshirë edhe atë të presidentes së Kosovës. E në shoqërinë civile thonë se deklaratat janë të pamjaftueshme për ta luftuar dhunën në bazë gjinore.

Rreth shtatë orë dyshohet që ka zgjatur dhuna seksuale ndaj një fëmije 11 vjeç. Të dyshuar janë pesë meshkuj, njëri nga ta i mitur. Vetëm dy prej tyre deri tani janë arrestuar – njëri është 16 e tjetri 26 vjeç.

Dyshimet për dhunimin e vajzës 11 vjeçe i publikoi Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh.

Sipas raportit, krimi dyshohet që ka ndodhur të shtunën e raportimi është bërë një ditë me vonë.

“Ankuesja ka raportuar se pesë persona të dyshuar kanë kryer veprën e lartcekur: dhunim ndaj viktimës. Lidhur me rastin pas intervistimit viktima është dërguar në strehimore, ndërsa dy të dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, të njëjtit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Dy të arrestuarit kanë dalë para gjykatës, e të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Tre të dyshuarit e tjerë ende janë në arrati.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R. dhe të miturit G.R. e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve u kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë fare pak detaje për këtë rast. Ani se dyshohet për krim të rëndë kundër një fëmije, vajzë 11 vjeçe, ky institucion nuk ka dalë me ndonjë sqarim publik as për veprimet që ka ndërmarrë deri tash. Sqarim nuk ka pasur as nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Ngjarja ka nxitur shumë reagime.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar angazhim më serioz nga institucionet e hetuesisë dhe gjyqësisë.

“Kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha po ashtu që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve”, ka shkruar Osmani.

Thirrje të tilla të politikanëve ka pasur edhe pas vrasjeve e dhunimeve të vajzave të tjera.

Ka më shumë se një vit qëkur është vrarë 18-vjeçarja Marigona Osmani, por procesi gjyqësor për të akuzuarit është krejt në fillim.

Leonida Molliqaj është drejtoreshë në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, dhe thotë se nuk është detyrë e politikanëve vetëm të reagojnë, por edhe të ndërmarrin veprime konkrete në luftën kundër dhunës në baza gjinore.

“Ftesa sidomos kur vjen prej zyrtarëve publikë, duke përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, si zgjidhja e vetme kundër dhunës - raportimi i rasteve, ne mendojmë që nuk është e drejtë, sepse nën 1 nuk po e kemi parasysh pozitën e viktimave të cilat janë totalisht të pambrojtura. Na po kërkojmë që me shku me raportu rastin në polici, ndërkohë që nuk kemi vend në strehimore... Pra përveç thirrjes për raportime, institucionet kanë përgjegjësi shumë të mëdha që dalin prej Konventës së Stambollit”, ka thënë Leonida Molliqaj, drejtoreshë në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA

Sistemi i hetuesisë është përballur me kritika të shumta për mënyrën se si i trajton rastet kur viktima janë vajzat ose gratë. Vitin e kaluar u publikuan dy aktgjykime për dhunime ndaj vajzave, njëri nga Gjykata e Pejës e tjetri nga ajo e Gjilanit, e në të cilat arsyetimi ka përmbajtur në masë gjuhë seksiste e paragjykuese ndaj viktimave.