LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri e opozita debatojnë ashpër mes vete për reciprocitetin me Serbinë

Vendosja e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet identifikuese e më pas edhe shtyrja e tij ishte tema që ka nxitur më së shumti debat të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ironizuar me kryeministrin Albin Kurti duke e quajtur djalë të mirë, në kuptimin që është treguar i dëgjueshëm që të tërhiqet nga reciprociteti, kërkesë që sipas tij ishte e porositur nga Beogradi.

“Imagjino, sot ma të respektuar janë kriminelët në veri që shkepin armë publikisht e më në konsideratë i marrin strukturat tjera ndërkombëtare sesa ty. Ty nuk të format më kush, për ty vendosin të tjerët, ty të tregojnë kur ke me u nis, kur ke me u kthye, sa larg ke me shku, dhe ku”, tha Haradinaj.

E Haradinajt iu kundërpërgjigj kryeministri Kurti.

“Para 4 vjetëve kryekrimineli atje që është sot është pritur në zyrën e kryeministrit në Prishtinë, a sot ka fletë arrestim dhe është në listë të zezë të Thesarit amerikan. Ky është dallim i madh, bile nuk është as në veri të Kosovës, është në Serbi, ka ardhur në veri për një video. Prandaj ju lutem mos më shisni moral dhe patriotizëm se ju njohim mirë”, tha Kurti.


“Mos merr merita për listën e zezë se kush ka hyrë në listë të zezë, se atë e ka bërë Amerika. Trego çka po bëhet me Rakiqin tënd, njëjtë si ai tjetri është, ti je me të në tavolinë tash”, tha Haradinaj.


“Sa i përket ministrit Rakiq unë nuk kam koalicion me Listën Serbe, ai është obligim kushtetutës për të cilin unë kam qenë kritik. Deputetët e Listës Serbe janë deputetë të cilët nuk janë të lirë dhe për mua strategjikisht unë nuk pajtohem me ta”, tha Kurti.

Kryeministri debatoi edhe me deputetët e PDK-së, të cilët thanë se luftën ndaj krimit në veri e shtrirjen e sovranitetit atje e ka bërë pikërisht partia e tyre.

“Me PDK-në është rrëzu muri ndarës në lumin Ibër, me PDK-në është ndalë treni i Serbisë e me PDK-në është kthyer sovraniteti në pikat 1 dhe 31. Asnjë parti nuk ka punuar më shumë për veriun dhe sovranitetin se PDK-ja”, tha Bekim Haxhiu i PDK-së.

“Ju posa e shpjeguat se pse disa gjëra nuk janë kryer në të kaluarën, sepse e keni pasur logjikën e shtetit parti e partisë shtet. Unë subjektin tim nuk e përmenda asnjëherë, unë nuk thashë se këtë e kanë bërë anëtarë të subjektit tim, këtë e kanë bërë zyrtarët e shtetit”, tha Kurti.

“Sa u përket arrestimeve në veri ju e dini që edhe në të kaluarën zyrtarë të lartë të shtetit serb janë arrestuar në veri, janë ngrehur zhag e janë sjellë në Prishtinë, siç është Marko Gjuriq”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Kurrë mos harroni që disa gjëra që kanë ndodhur në vitet e kaluara kanë qenë në kuadër të projektit për shkëmbim territorial, i cili karakterizohej me fjalën we are not problematic guys, prej aty vjen treni serbo-rus edhe arrestimi spektakolar i Gjuriqit, dhe lirimi edhe më spektakolar i tij edhe pa gjobë bile”, tha Kurti.

Deputetë nga AAK-ja i kanë kërkuar Kurtit që t’ua rrisë pagat policëve të cilët do të jenë të obliguar ta mbikëqyrin zbatimin e reciprocitetit me Serbinë që pritet të hyjë në fuqi në shtator.

“Mos bëj gabime në pikë të natës, në 12 të natës me u çu me i kthy njerëzit. Përgatitu, merri veprimet, merr vendime ekzekutive, rriti ato paga, çka dreqi je duke bërë me ato paga qe 1 vjet e gjysmë nuk je në gjendje me i sjellë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Duhet ta kuptoni një gjë, pagat, pagat, pagat, unë e di që jeta është bërë më e vështirë, por parulla jonë në zgjedhje me të cilën kemi fituar ka qenë punësim dhe drejtësi, jo rritje të pagave, ju keni garuar me rritje të pagave dhe keni humbur”, tha Kurti.

Kërkesa për shtyrjen e hyrjes në fuqi të vendimit për reciprocitetin është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas tensioneve të ngritura në veri.