LAJMET E MBRËMJES

Projektligji për Byronë do të “korrigjohet” pa opozitën

Është formuar grupi punues, që për mandat do ta ketë adresimin e vërejtjeve, që Komisioni i Venecias ia ka dhënë Projektligjit për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Deputetët opozitarë refuzuan të bëhen pjesë e grupit, nën arsyetimin se vërejtjet janë të mëdha dhe projektligji duhet t’i kthehet Qeverisë për rishkrim. Por, ligjvënësit e subjektit kryesor në pushtet thanë se vërejtjet mund të bëhen mes dy leximeve të projektligjit, gjatë procedurës së shqyrtimit në Kuvend

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës ka formuar të mërkurën grupin punues që do ta trajtojë Projektligjin për Byronë Shtetërore Për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, përpara se ai të dalë në lexim të dytë para deputetëve. Por anëtarë të këtij grupi do të jenë vetëm deputetët e pushtetit, meqë ligjvënësit opozitarë në Komisionin për Legjislacion refuzuan të përfshihen në këtë trupë.

Sipas opozitës, pas rekomandimeve, që Komisioni i Venecias ka dhënë për këtë projektligj, ai duhet të ndryshojë në tërësi dhe kjo kompetencë, siç kanë thënë ata, i takon Qeverisë, meqë projektligjin e ka sponsorizuar ekzekutivi.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka thënë se nuk ka paragraf dhe nen në projektligjin e punuar nga Qeveria në të cilin Komisioni i Venecias nuk ka gjetur vërejtje. Sipas tij, në formën që e ka sponzorizuar ekzekutivi, projektligji nuk mund të përmirësohet, prandaj i ka bërë thirrje Qeverisë që edhe në këtë fazë ta tërheqë projektligjin dhe ta sjellë të ridraftuar, duke inkorporuar në të rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“E kemi të pamundur ta përmirësojmë një dokument të tillë përpos që ta rishkruajmë nga fillimi. Nëse e bëjmë një gjë të tillë është kundër praktikave sepse Kuvendi po ia rishkruan konceptin e një projektligji, që e ka nisur Qeveria. Unë refuzoj të jem pjesë e këtij grupi punues”, ka thënë Selmanaj.

Njësoj pjesëmarrjen e ka refuzuar edhe deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Hajdar Beqa. Ai ka thënë se përmbajtja e këtij projektligji është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se pushteti duhet t’i marrë parasysh propozimet për kthim të ligjit në pikën zero dhe për hartim të serishëm të tij.

“Nëse i lexojmë rekomandimet e Venecias, e ndryshojnë në tërësi përmbajtjen e ligjit. Nëse ka kaq ndryshim të madh, nuk ka kuptim të lëshohemi në shqyrtim të tij. Pajtohem me deputetët kur deklarojnë se kërkojnë nga Ministria, Qeveria ta rishkruajnë ligjin”, ka thënë Beqa.

Në linjë me dy partitë tjera opozitare, është edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se me përmbajtjen aktuale, themelimi i mekanizmit për verifikim dhe konfiskim të pasurisë, e ka goditur në esencë atë, që është ndërtuar për vite të tëra në Prokurori e Gjykata.

“Duke qenë se Komisioni i Venecias ka gjetur shumë vërejtje dhe faktori ndërkombëtar ka skepticizëm, propozimi ynë është që të kthehet ky ligj në Qeveri dhe të shkruhet prej fillimi”, ka thënë Tahiri, i cili ka bërë të ditur që as AAK-ja nuk bëhet pjesë e grupit punues.

Por, tjetër pikëpamje kanë pasur deputetët e partisë kryesore në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Deputetja Doarsa Xhelili Kica, e cila kishte abstenuar gjatë miratimit në parim të këtij projektligji, e ka ftuar opozitën që ta rimendojë pjesëmarrjen. Ajo tha se ka qenë vullnet i Kuvendit që projektligji të miratohet në parim dhe se për kundërshtitë që ka, opozita duhet patjetër të marrë pjesë në shqyrtim dhe t’i adresojë ato.

“E kemi obligim pjesëmarrjen në procesin ku mendojmë që mund të kontribuojmë për mirë. Shumica në seancë ka vendosur ta kalojë këtë projektligj. Pavarësisht se nuk kam menduar që kjo duhet të jetë mënyra e shqyrtimit, nuk mendoj që duhet të mos marrim pjesë”, ka deklaruar ajo.

Megjithëse nuk janë përfshirë në grup punues, deputetët opozitarë kanë votuar për themelimin e grupit

Formimin e grupit punues, që do të ketë mandat t’i inkorporojë vërejtjet e Komisionit të Venecias në Projekligjin për Byronë, e ka përshëndetur ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se dikasteri qeveritar, të cilin e drejton, do të jetë pjesë aktive e procesit të shqyrtimit të projektligjit dhe se do të adresohen të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Rekomandimet e Komisionit të Venecias do të adresohen një për një, me ç’rast Ministria e Drejtësisë do të jetë pjesë aktive e procesit të shqyrtimit të projektligjit dhe adresimit të këtyre rekomandimeve. Po ashtu i ftoj të gjithë akterët, që ta japin kontributin e tyre, në mënyrë që Kosova të jetë shembull se si funksionon një mekanizëm i konfiskimit civil dhe se si pasuria, që nuk mund të justifikohet, i kthehet shtetit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme është miratuar në parim më 14 korrik. Pas miratimit të tij, i hapet rrugë konfiskimit civil të pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë.