LAJMET E MBRËMJES

Meta e përfundon mandatin me keqardhje që s’bëri më shumë për Kosovën

Presidenti në largim i Shqipërisë, Ilir Meta, ka qëndruar të premten për vizitë në Kosovë. Gjatë vizitës, Ilir Meta është pritur nga krerët shtetërorë. Ka thënë se mandatin e përfundon me merak që nuk ka bërë më shumë për Kosovën, derisa ka inkurajuar atë në rrugëtimin euroatlantik.

Presidenti në largim i Shqipërisë, Ilir Meta, është pritur sot me ceremoni shtetërore.

Tek kaloi përskaj gazetarëve, ai u përkujdes që ata t’i përshëndesë duke e bërë shqiponjën me duar.

Nga posti i presidentit tha se është duke u larguar me keqardhje që nuk ka arritur të bëjë më shumë për Kosovën. Por, për këtë dha një arsyetim.

“Kam bërë detyrën kushtetuese, por edhe morale siç e ka edhe çdo qytetar i Shqipërisë dhe e vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre pesë vjetëve. Por, ju jap fjalën se nga dita e hënë, do të bëj shumë herë më tepër edhe për Kosovën”, ka thënë ai në konferencën për media.

Presidenti Meta e homologia e tij, presidentja Vjosa Osmani, u pajtuan që integrimi i Kosovës në aleancat euroatlantike është në interes të të gjithë rajonit.

“Objektiv ynë i qartë dhe vullnet i qartë i popullit të Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në strukturat euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, u shpreh Osmani.

“Është interesi ynë dhe i gjithë popujve të rajonit që ta forcojmë paqen dhe stabilitetin në këtë rajon. Të kemi sa më shumë NATO kudo në rajon dhe Kosovën ta kemi këtë aleancë të madhe të sigurisë dhe të lirisë”, ka thënë Meta.

Por, ata nuk kishin të njëjtin qëndrim sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, një ditë më parë, lidhur me raportin e Dick Martyt. Derisa Osmani tha se për këtë rezolutë nuk do të duhej të kishte përshëndetje të veçantë, Meta theksoi se çfarëdo lëvizje kundër akuzave është e rëndësishme.

“Nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë, sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare të Kosovës është i përditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën”, ka thënë Osmani.

“Jo vetëm rezoluta e djeshme, por çdo akt që i shërben demontimit të akuzave të Dick Martyt dhe kujtdo qoftë, pra gjithçka është shumë e rëndësishme dhe pozitive”, ka deklaruar Meta.

Presidenti Meta, gjatë vizitës, është takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e kryeministrin Albin Kurti.