LAJMET E MBRËMJES

Biden: Hapja e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë, t’i frymëzojë shtetet e tjera të Ballkanit

Reagime të shumta ka nxitur hapi i bërë nga BE-ja drejt anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Liderë të shumtë kanë uruar shtetet për punën e bërë, e kanë bërë thirrje për zgjerim të mëtutjeshëm të BE-së. E vetë BE-ja ka premtuar se do të punojë në zgjerimin e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Urime të shumta kanë marrë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pas nisjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në një deklarim të përcjellë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Joe Biden ka mirëpritur hapin e ndërmarrë nga BE-ja.

Sipas Biden hapja e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë duhet t’i frymëzojë shtetet e tjera, që synojnë të jenë pjesë e BE-së.

“Në një moment kur Rusia ka shkatërruar paqen në Evropë, është më e rëndësishme se kurrë ta mbështesim aspiratën për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe. Një Ballkan Perëndimor demokratik, i sigurt dhe i begatë mbetet thelbësor për këtë vizion. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë një partner i fortë dhe i besueshëm ndërsa ato vende punojnë për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, për t’i forcuar reformat demokratike dhe për ta mbështetur sundimin e ligjit”, ka thënë Bideni.

Rrugëtimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ka qenë i gjatë e sfidues ka thënë presidenti i Këshillit Evropian.

Charles Mishell, ka premtuar se BE-ja do të fokusohet në procesin e zgjerimit.

“Në takimin e liderëve të BE-së e të Ballkanit Perëndimor, ne vendosëm të injektojmë një dinamikë të re dhe një vendosmëri të re për të ecur përpara së bashku. Ne do të avancojmë më tej integrimin gradual të BE-së dhe rajonit, tashmë gjatë procesit të zgjerimit. Ballkani Perëndimor i përket BE-së dhe ne duhet ta bëjmë këtë të ndodhë”, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian.

Përshëndetjen e hapit të ndërmarrë nga BE-ja presidentja Vjosa Osmani e ka shoqëruar me një kërkesë për vendet anëtare.

“Në këtë kohë vendimtare, përshpejtimi i procesit të zgjerimit për vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor është një domosdoshmëri! Ne u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së, që ta marrin urgjentisht vendimin e vonuar për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Osmani.

Kurse kryeministri Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë për t’iu bashkuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut në reformat që do t’i ndërmarrin.

“Kosova feston arritjet tuaja historike dhe bashkohet me angazhimin tuaj drejt reformave, që do të transformojnë vendet tuaja dhe do të forcojnë rajonin dhe Evropën tonë”, ka deklaruar Kurti.

Lajm të shumëpritur e të mrekullueshëm e ka konsideruar Serbia, hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

“Lajm i mrekullueshëm, i shumëpritur për fqinjët tanë, miqtë dhe partnerët e Ballkanit të Hapur; Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë filluar bisedimet për anëtarësim në BE. Llogaritni në bashkëpunimin tonë të përzemërt, për të punuar drejt së ardhmes sonë të përbashkët brenda familjes së BE-së”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Serbisë.

Të martën, me të mbajtur konferencat ndërqeveritare, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, bënë edhe një hap para anëtarësimit në Bashkimin Evropian.