Zyrtarë policorë të Kosovës janë përballur me një sulm të shtunën vonë gjatë një aksioni kundër krimit dhe kontrabandës në fshatin Jashanicë të Komunës së Leposaviqit. Pesë policë kanë pësuar lëndime, ndërsa i janë shkaktuar dëme materiale veturës së tyre. Ngasësi i kamionit që bartte mall kontrabandë dhe që sulmoi policinë është arrestuar, ndërsa i dyshuari tjetër për përfshirje në rast është liruar në procedurë të rregullt. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar organet e drejtësisë rreth hezitimit për veprim
Pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime një ditë më parë, gjatë një aksioni për ta ndaluar një kamion në veri të Kosovës, që dyshohej për kontrabandim të mallrave.
Policët në fshatin Jashanicë të Leposaviqit kanë vërejtur kamionin e dyshuar, porse në tentimin për ta ndalur janë penguar nga dy automjete civile.
“Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, me targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për t’u ndalur, duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit nga Policia, në përpjekjen për ta ndaluar kamionin, ngasësi e ka goditur veturën policore dy herë, duke u shkaktuar lëndime policëve, si dhe dëme të konsiderueshme materiale veturës së tyre.
Policia ka bërë të ditur se ka ndaluar kamionin në fshatin Llazhinë dhe se ka arrestuar ngasësin me inicialet A.D. Shoferi është dërguar në mbajtje dhe dyshohet për veprat “kalim i kufirit ilegal”, “kontrabandim me mallra” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
I dyshuari i dytë, me inicialet U.R, që e ngiste veturën që ndihmoi shoferin e kamionit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kritikuar Prokurorinë Speciale për ngecje në ofrimin e ndihmës për procesin e hetimit të rastit të së shtunës.
“Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuroria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e Prokurorisë Themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë. Ndaj po shpreh edhe një herë tjetër bindjen time të thellë. Hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe në rritje të vetëbesimit tek ta”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se çdo tentim-vrasjeje ndaj policëve duhet ndëshkuar rreptë dhe shpejt, pa asnjë hezitim e me pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve, sipas rolit e detyrave.
Kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një konference për media, ka kërkuar veprim nga organet kompetente që rastet e tilla të mos përsëriten.
“I kemi pesë të lënduar në veri të Kosovës, duke luftuar kontrabandën. Unë veç mund të shpreh nderimin dhe mirënjohjen time të madhe për trimërinë dhe profesionalizmin e tyre. Por edhe shpresoj e uroj që edhe hapat e tjerë të drejtësisë, prokuroria e gjyqësori, të jenë në të njëjtin nivel të detyrës në mënyrë që të mos na përsëriten gjëra të tilla”, ka thënë Kurti.
Kurti pasdite ka pritur për takim policët e lënduar.
Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur zyrtarët policorë janë penguar në kryerjen e detyrës gjatë aksioneve kundër kontrabandës.