LAJMET E MBRËMJES

PDK: Qeveria Kurti po ndihmon në thellimin e varfërisë, migrimit dhe falimentimit të kompanive

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, dhe koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, të premten në një konferencë për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të reagojë urgjentisht në lidhje me krizën ekonomike në vend.

Blerand Stavileci, duke numëruar sfidat me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët e Kosovës, ka thënë se e vetmja qeveri në botë që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron për ta lehtësuar atë, është Qeveria e Albin Kurtit.

“Rëndimi i kompanive kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, ka thënë Stavileci.

Më tej, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe kompanitë është bërë inflacioni.

“Si asnjëherë pas luftës në Kosovë, inflacioni është ngritur në 14.1 për qind. Me këtë përqindje, Kosova është në mesin e shteteve që i prijnë listës në nivelin global. Nga janari e deri në qershor ngritja e inflacionit është shqetësuese. Është e dyfishtë. Nga 7.1 për qind ka arritur në 14.1 për qind. Mesatarja e inflacionit në 6 muajt e fundit është alarmante. Është dyshifrore. Është 10.4 për qind”, ka theksuar Stavileci.

Në tërë këtë situatë, Stavileci tha se familjet nuk po kanë asnjë pako lehtësuese për përballim të krizës, punëtorët nuk po kanë asnjë ngritje të pagës, si dhe kompanitë kosovare nuk gëzojnë asnjë lloj skeme mbështetëse dhe i bëri thirrje Qeverisë të mos jetë spektatore, por promotore e zhvillimit.

Ndërsa, koordinatori i Departamentit për Financa në kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit, përderisa sjellja e deritanishme e Qeverisë kundrejt këtyre zhvillimeve ka qenë neglizhente dhe e papërgjegjshme.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.

Më tej, ai ka shtuar se integrimi i pritjeve për inflacionin në vendimet e qytetarëve dhe kompanive në Kosovë rrezikon të krijojë një valë të re inflacioni, e cila më nuk lidhet vetëm me produktet e importuara, por edhe me produktet dhe shërbimet e prodhuara brenda vendit.

“Hezitimi i Qeverisë së Kosovës për të pranuar se vendi po ballafaqohet me një krizë inflacioni dhe prirja për ta paraqitur rritjen e çmimeve më tepër si një krizë të shkaktuar nga abuzues çmimesh është e pakuptueshme dhe tendencë për t’iu shmangur përgjegjësisë që i takon në raport me ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend”, ka thënë Mustafa.

Ai tha se tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar dhe e pamatur.

“Së pari, para se të mendohet për kontrollin e marzhave të profitit, Qeveria duhet të ofrojë evidencë të bazuar në analiza profesionale që vërteton se rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë po ndodh për shkak të abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut. Së dyti, kontrolli i marzhave të profitit, që në një mënyrë paraqet edhe kontroll të çmimit, cenon funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, pengon konkurrencën dhe mund të prodhojë probleme shtesë për ekonominë e vendit. Së treti, disponimi i Qeverisë aktuale për të interferuar në çmimet e sektorit privat, në vend se të përdorë instrumentet e politikave ekonomike në dispozicion, rrezikon lirinë ekonomike dhe krijon pasiguri për të ardhmen e ekonomisë së lirë të tregut në Kosovë. Së katërti, përvojat ndërkombëtare tregojnë se politikat e kontrollit të çmimeve në të kaluarën janë dëshmuar si jo të suksesshme në luftën kundër inflacionit”, ka thënë Arben Mustafa.

Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve.

“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai. (koha.net)