LAJMET E MBRËMJES

Fletarrestimet ndaj Radojçiqit ende në fuqi, institucionet s`flasin për veprimet

Institucionet e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin karshi mesazhit të përçuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Ndonëse ndaj tij janë dy urdhërarrestime aktive e muaj më parë ka arritur t’i ikë Policisë Kufitare, Radojçiqi të martën mbrëma është shfaqur nga veriu i vendit.

Përmes një video-mesazhi, ai, me tone kërcënuese, ka paralajmëruar veprime nga ana e tij.

“Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni t’ju them, edhe të tjerëve, unë jam këtu. Jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë, sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Televizionit të mërkurën nuk i janë përgjigjur Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës e Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por, përmes një statusi në Facebook, nga kabineti i ministrit Xhelal Sveçla ka konfirmuar se Radojçiqi videon e ka bërë në Kosovë.

“Radojçiq dhe banda e tij kriminale janë imunizuar ndër vite, bile edhe janë faktorizuar, janë kontraktuar e paguar nga të hollat tona si taksapagues. Grupi i tij pa dyshim do të ketë fatin e 63 grupeve që e kanë pasur deri tani. E kemi vullnetin për ta bërë këtë dhe e kemi dëshmuar deri tash në çdo cep të Republikës sonë. Edhe atje nga ku krahu i djathtë i Vuçiqit na u lajmërua”, tha Aulonë Bytyqi, asistente e ministrit Sveçla.

Për mesazhin e përcjellë nga nënkryetari i Listës Serbe ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk më intereson për mesazhin, pyeteni atë. Thanë se Radojçiqi u paraqit nga Leposaviqi. Ka thënë se është kthyer dhe se do të qëndrojë atje. Pyeteni për mesazhin që ka dashur ta përcillte dhe si u pranua mesazhi. E bëri videon në Leposaviq, sepse jeton në Kosovë. Ka të drejtë të jetojë ku të dojë”, është shprehur Vuçiq.

Por, nga njohës të sigurisë, mesazhi i nënkryetarit të Listës Serbe konsiderohet se është bërë me miratimin e presidentit serb.

“Vuçiqi e ka nxjerrë Radojçiqin në këtë kohë për ta rritur vlerën e vet dhe për ta shpërqendruar vëmendjen e Perëndimit në mospërcaktimin e tij për t`i vënë sanksione Rusisë. Në fakt, kjo më së shumti i përshtatet luftës hibride të Vladimir Putinit, sepse çdo konflikt eventual në Ballkan e shpërqendron vëmendjen e Perëndimit nga agresioni rus në Ukrainë”, ka deklaruar Agim Musliu, analist i sigurisë.

Radojçiqi është në kërkim nga institucionet e rendit për dyshimet se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, si dhe për ndërhyrje në rastin e njohur si “Brezovica”.

Ai është vendosur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, pas dyshimeve se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe dhjetëra serbë të tjerë i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.