LAJMET E MBRËMJES

Pushteti e opozita përplasen për pasurinë e mjekëve dhe profesorëve

Nuk ka kaluar në lexim të dytë projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, meqë opozita ka kundërshtuar që si kategori të reja që duhet ta bëjnë deklarimin, të jenë edhe mjekët dhe profesorët universitarë. Debatin më të nxehtë, kjo çështje e ka nxitur mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ish-ministrit Abelard Tahiri

Seanca e Kuvendit të Kosovës, që një ditë më parë ishte ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, të premten ka dështuar për arsyen e njëjtë. Në këtë mbledhje duhej të shqyrtoheshin 5 nga 9 pikat e bartura nga e enjtja, por vetëm tri nga to kanë arritur të shqyrtohen e për një të votohej suksesshëm.

Deputetët, ndonëse pa pjesëmarrjen e ligjvënësve të Partisë Demokratike (PDK) në votim, kanë arritur që ta miratojnë Ligjin për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ndërkaq, edhe pse është shqyrtuar, kanë munguar votat për miratim për projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Përfshirja e mjekëve dhe profesorëve universitarë në mesin e zyrtarëve që duhet ta bëjnë deklarimin, është kundërshtuar nga dy parti opozitare, PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Asnjëra nga to nuk kishin adresuar amendamente për heqjen e këtyre kategorive, as në lexim të parë e as në të dytin, ndërkaq kanë kërkuar kthimin e projektligjit në Komision, në lexim të tretë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së ka shprehur qëndrimin se nuk është e nevojshme që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë, meqë, sipas tij, ata nuk i predispozohen korrupsionit.

“Profesorët e Universitetit janë të përfshirë në këtë projektligj, që ne jemi kundër që ata të deklarojnë pasurinë sepse ata nuk janë kategori që menaxhojnë me paranë publike. Mjekët po ashtu – jemi kundër që ta deklarojnë pasurinë për të njëjtën arsye”, ka thënë Tahiri.

Në këtë linjë e ka shprehur qëndrimin edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e cila i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që ta tërheqë projektligjin dhe ta mundësojë rishikimin e tij.

Kjo ka nxitur debat, meqë ministrja ka kundërshtuar edhe një shqyrtim tjetër të projektligjit pasi, siç ka thënë ajo, projektligji duhej urgjentisht të miratohej dhe se për amendamente deputetët kanë pasur kohë të mjaftueshme.

Haxhiu ka thënë se pasuria e deklaruar e mjekëve dhe e profesorëve nuk do të bëhet publike, ndryshe me atë që ndodh me zyrtarët e lartë të shtetit.

“Unë mendoj që kur keni probleme të tilla, duhet të bëni amendamente, por të kritikosh një çështje e të mos ndërmarrësh asnjë veprim, as edhe në Komision, mendoj që kjo është hipokrizi. Mendoj qe po na merr kohë dhe nuk është në rregull të jesh kaq joserioz”, ka thënë Haxhiu, tek i është drejtuar opozitës e specifikisht deputetit Tahiri.

Megjithëkëtë, ministrja ka thënë se nuk e merr seriozisht deputetin Tahiri, pasi ka theksuar se gjatë kohës sa ai kishte qenë ministër, e kishte deklaruar si të arritur të tij përfshirjen e mjekëve e profesorëve në projektligjin për deklarim të pasurisë, e tani është pozicionuar kundër.

Ndryshime në këtë projektligj ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike (LDK). Deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, ka thënë se me të është dashur të bëhet obligative deklarimi i kontributeve në Fondin e Kursimeve Pensionale. Por, ministrja ka thënë se një gjë e tillë do të bëhej vetëm nëse do të ishte e lejueshme tërheqja e atyre mjeteve.

“Mendoj që ke bërë gabim që nuk i keni adresuar këto çështje në Komision. Nuk përfshihet çështja e Trustit në deklarim, veçse atëherë kur ato tërhiqen, por jo edhe kur janë në Trust”, i është kundërpërgjigjur ministrja e Drejtësisë.

Në këtë seancë, për mungesë kuorumi nuk arriti të kalonte as raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndryshe nga pushteti, për të opozita pati shumë kritika, sidomos për vonesën në procesin e shuarjes së AKP-së dhe themelimit të Fondit Sovran, ashtu siç Qeveria e ka në program.

“Strategjia zhvillimore e AKP-së për mbyllje deri më 2014 bazohet në dokumentin kryesor të Fondit Sovran të Kosovës. Ku është Fondi Sovran sot? A është miratuar? Mbi cilën bazë juridike, ekonomike e zhvillimore, strategjia zyrtarizohet e miratohet në Qeveri mbi një dokument që nuk ekziston, që është draft-koncept që ende nuk ka kaluar”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Për këtë çështje kritika pati edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj. Ajo ka akuzuar Qeverinë për emërim të bordit me njerëz që i përgjigjen partisë në pushtet.

“Nuk latë bord e zyrtar të AKP-së pa e njollosur, derisa i instaluat njerëzit tuaj në bord. Thatë që bordi i ri mision do ta ketë shuarjen e AKP-së, por kjo nuk ndodhi. Këtë muaj, AKP-ja shpalli shitjen e re të aseteve përmes likuidimit duke vepruar në kundërshtim me të gjitha zotimet e Kurtit”, ka thënë ajo.

Në vazhdimin e seancës paraprake, me 72 vota për, Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur edhe një anëtar joekzekutiv të bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Anëtar do të jetë Nexhat Kryeziu, i cili në zgjedhjet parlamentare të 2017-s ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet. Për zgjedhjen e tij anëtar të BQK-së, të premten ai ka marrë vota edhe nga opozita. Kryeziu në BQK ka mbajtur disa pozita, ndërkaq për një mandat ka qenë edhe zëvendësguvernator.