LAJMET E MBRËMJES

Latifi premton hapjen e një qendre për rehabilitimin e përdoruesve të drogave

Numri i përdoruesve të drogave në Kosovë është rritur, ndërsa institucionet shëndetësore janë të kufizuara në trajtimin e këtyre rasteve.

Në Klinikën e Psikiatrisë deri më tani, këtë vit janë rreth 76 pacientë të cilët kanë marrë trajtim për luftimin e varësisë nga droga.

Drejtori i kësaj klinike, Faton Kutllovci, ka konfirmuar se ka rritje të numrit të personave të cilët abuzojnë me substanca psikoaktive dhe që kërkojnë ndihmë dhe trajtim në kuadër të kësaj klinike.

“Është repart shumë i vogël, kemi vetëm 6 shtretër gjithmonë janë të stërmbushur, duke i pasur në konsideratë kërkesat e vazhdueshme të personave për t’u trajtuar apo ndërprerë abuzimin me substanca psikoaktive, tha Kutllovci.

Nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës kanë thënë se numri i rasteve për posedim, trafikim dhe kultivim të narkotikëve për periudhën kohore janar-maj të vitit 2022 janë 387 raste.

Po ashtu, janë regjistruar 532 persona te dyshuar ku 515 janë arrestuar dhe 165 janë ndaluar.

“Gjatë periudhës kohore të lartcekur në total janë hapur 387 raste nga veprat: 112 janë raste për veprën Trafikim të substancave narkotike, 267 janë për veprën: posedim të substancave narkotike, 7 janë për veprën: kultivim të substancave narkotike dhe 1 është për veprën: “prodhim dhe përpunim i paautorizuar i narkotikëve”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, në IKSHK është mbajtur një tryezë diskutimi në të cilën u ngritën shqetësime për rritjen e numrit të përdoruesve të narkotikëve.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se janë 30 deri 40 mijë përdorues të drogave në Kosovë nga të gjitha komunitetet dhe grupmoshat e ndryshme me dominim nga moshat e reja.

Ai ka premtuar që do të formohet qendra për rehabilitimin e varshmërisë ndaj alkoolit dhe substancave te ndryshme narkotike.

“Këta numra janë shumë shqetësues duhet të ballafaqohemi drejtpërsëdrejti me këtë fenomen secili në fushën e vet dhe përgjegjësive të veta sektori sigurisë dhe drejtësisë në luftimin e trafikimit reduktimin e ofertës dhe ndëshkimin e atyre që e shpërndajnë drogën të mos harrojmë se përdoruesit e drogave janë viktima ne nuk mund t’i ndëshkojmë ata ne duhet t’u ndihmojmë atyre”, tha Latifi.

Valdete Alidema-Serreqi, kryetare e Asociacionit të Psikiatërve të Kosovës, ka thënë se Kosova po përballet me problematikën e përdorimit të drogës nga të rinjtë të cilët po informohen nga rrjetet sociale

“Sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara, për Drogën dhe Krimin, në vitin 2020 gati 275 milionë njerëz përdorën drogë, në mbarë botën, me 22 për qind më shumë nga viti 2010. Numri i përdoruesve të kanabisit u rrit me gati 18 për qind midis viteve 2010 dhe 2020”, tha Alidema-Serreqi.

Ministri i Shëndetësisë pranoi se kapaciteti aktual i institucioneve shëndetësore ku trajtohen këto raste është i kufizuar.