LAJMET E MBRËMJES

Nisin hetimet për 50 mijë eurot që deputeti i VV-së pretendon se iu vodhën

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar për nisjen e hetimeve lidhur me raportimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, për vjedhjen e 50 mijë eurove nga banesa e tij në Prishtinë. E Shkreta ka thënë se po ndihet i sulmuar nga disa qarqe, të cilat nuk i ka specifikuar. E Drejtor i AKK-së, Yll Buleshkaj ka deklaruar se nëse vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar dhe nuk janë raportuar mund të konsiderohet shkelje.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, pretendon se i janë vjedhur 50 mijë euro në banesën e tij në Prishtinë.

Për këtë Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar për nisjen e hetimeve lidhur me raportimin e tij.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastin, ndonëse nuk ka bërë të ditur nëse Shkreta do të hetohet lidhur me mosdeklarimin e kësaj shume si pasuri të tijën në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Për rastin e ‘vjedhjes së rëndë’ janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të të gjitha rrethanave të kësaj çështjeje penale. Meqenëse rasti është nën hetime, aktualisht nuk mund të japim informata shtesë, andaj për zhvillimet e tjera do të njoftoheni në kohë”, ka thënë Ulaj.

Në raportin e dorëzuar nga Shkreta pranë Agjencisë nuk kanë figuruar paratë që deputeti i ka denoncuar si të vjedhura.

Drejtor i AKK-së, Yll Buleshkaj ka deklaruar se nëse vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar dhe nuk janë raportuar mund të konsiderohet shkelje.

Buleshkaj ka shtuar se raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën deri me 31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja ka ndodhur në fund të qershorit 2022.

"Raporti i dorëzuar përmes formularit të pasurisë nga deputeti e mbulon periudhën kohore 01 janar-31 dhjetor 2021, ndërsa ngjarja që ju keni përmendur ka ndodhur në fund të qershorit 2022, rrjedhimisht krahasimi mund të mos jetë i drejtë. Raportimi për pasurinë, të hyrat dhe të tjera, bëhet në vitin 2023. Në rast që mund të vërtetohet që të hollat janë mbajtur kesh nga viti i kaluar, dhe nuk janë raportuar, mund të konsiderohet shkelje", ka thënë Buleshkaj.

Bazuar në raportin e AKK-së, Shkreta ka deklaruar se ka dy llogari bankare, në të cilat i ka të deponuara 101 mijë e 689 euro në emër të tij.

Duke reaguar lidhur me pretendimet për mosdeklarimin e pasurisë, Shkreta ka thënë se po ndihet i sulmuar nga disa qarqe, të cilat nuk i ka specifikuar.

Ai në një postim në Facebook ka shkuar se rasti i plaçkitjes nuk ka të bëjë me deklarimin e pasurisë së tij

Ka theksuar se obligimin për këtë e ka përmbushur sipas ligjit dhe se po akuzohet padrejtësisht.