LAJMET E MBRËMJES

Institucionet thonë se pas sulmit në veri qëndrojnë strukturat paralele

Gjurmët e shpërthimit shihen pak metra larg objektit të elektro-distribucionit “Elektrokosmet”, në veri të Mitrovicës. Xhamat e thyer e shkrumbi, pasojë e sulmit me mjet shpërthyes, janë disa nga provat e asaj që ndodhi një natë më parë.

Sipas Policisë së Kosovës, sulmi ka ndodhur të enjten mbrëma, derisa përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar.

Pas sulmit qëndrojnë strukturat paralele, ka thënë prerazi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai është shprehur i bindur se fajtorët do të vihen para drejtësisë.

“Qëllimi është që të terrorizohen banorët atje, por edhe të ngjallin pasiguri për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që organet tona të hetuesisë do të dalin me informata edhe më të detajuara, por edhe me rezultate nga ato hetime”, ka thënë Sveçla.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës fillimisht ka dyshuar se zjarri ka ardhur si pasojë e tensionit të lartë, porse ajo mundësi u hodh poshtë pas nisjes së hetimeve.

“Ka pasur zjarr ne trafo, fillimisht u mendua që zjarri ishte pasojë e tensionit të lartë, mirëpo pas hetimeve rezultoi se ka pasur sulm, meqë edhe disa vetura përreth ishin të dëmtuara”, ka deklaruar zëdhënësi Besim Hoti.

Sulmi me mjet shpërthyes ka ndodhur dy ditë pasi Kosova dhe Serbia u dakorduan për një udhërrëfyes për implementimin e marrëveshjeve për energjinë, të arritura më 2013 dhe 2015.