Dy vjet pas aplikimit për licencim, Zyra e Rregullatorit për Energji pritet ta shqyrtojë aplikacionin e kompanisë “Drustvo Elektrosever”. Kjo vjen vetëm pas dakordimit të arritur një ditë më parë në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, për zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur më 2013.
Kompania pas licencimit parashihet të nënshkruajë marrëveshje me KOSTT-in dhe KEDS-in, për të operuar në tregun e energjisë. Por, nga ekzekutivi nuk është bërë e ditur se ku do ta blejë energjinë kjo kompani, e as se çfarë do të ndodhë me shpenzimet e bëra për rrymën e konsumuar në veri.
Ujdia e arritur një ditë më parë ka nxitur reagim në Kuvendin e Kosovë, ku partitë kujtuan edhe njëherë kundërshtimet që Kurti ia kishte bërë marrëveshjes.
“Më 2017, në këtë Kuvend, një burrë i madh, anëtari i VV-së, që kryesonte Kuvendin, Adem Mikullovci, kishte nisur me fjalë të Shkrelit. ‘Nëse takohemi me veten sy më sy, a kemi me u puthë, a kemi me u pështyrë’. Çfarë i kishte bërë Albin Kurti i 2015-s këtij Albin Kurtit sot. Kjo është pyetja”, ka deklaruar Lumir Abdixhiku, lider i LDK-së.
Lider i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pyetur Kurtin për Valaçin.
“Dilema ime është kjo, pse kur të tjerët jetojnë në realitet në minimum për me nxjerrë maksimumim para jush, është tradhti kombëtare e pse në rastin e juaj kur ndodh, kjo është e drejtë. Dhe, e kam një pyetje për fund çka do të ndodhë me Valaçin? Pra, me stacionin në Valaç”, ka thënë Haradinaj.
E Kurti u përgjigj në pyetjet e deputetëve.
“Po, ka qenë tradhti, por ky është realiteti. A i kemi duart më baltë? Po, i kemi sepse Kosovën e kemi gjetur në baltë, ama ndërgjegjen e kemi të pastër”, ka thënë Kurti.
Akuza ndaj Kurtit pati edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Qytetarëve të Kosovës ju i keni premtuar ndryshim të marrëveshjeve, kemi premtuar reformë dhe të kundërtën e asaj që keni gjetur. Mbi këtë bazë dhe propagandë keni djegur dhe shkrumbuar shumë institucione të vendit”, tha Shala.
“E keqja buron prej juve, së pari kërkoni falje për privatizimin e distributorit dhe furnizimit. Kur të kërkoni falje për atë, ne mund të diskutojmë”, iu përgjigj Kurti SHalës dhe deputetëve opozitarë.
E deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi, e ka quajtur mashtrues dhe shpifës kryeministrin Kurti.
“Albulena po te pyes edhe ty, sepse e ke pasur rolin me gjuajt vezë. Po ta dhuroj një vezë e drejtoja kryeministrit tënd mashtrues, sepse ‘tradhtarët’ e djeshëm dolën sot faqebardhë”, pohoi Dumoshi.
Që nga paslufta qytetarët e katër komunave veriore nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.