LAJMET E MBRËMJES

Konjufca: Gjykata Speciale ka nevojë për një mekanizëm kontrolli dhe llogaridhënie

“Ne si institucione do t’i bashkërëndojmë të gjithë hapat, ashtu që të mund të vijmë deri te një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik i kësaj gjykate. Askund në botë nuk ka gjykata, të cilat janë institucione absolute, të mbyllura, hermetike, të cilat bëjnë çfarë të duan. Gjithkund në botë, gjykatat i nënshtrohen një procesi, mekanizmave të kontrollit sa u përket të gjitha çështjeve, mbarëvajtjes së punës aty, sa u përket procedurave, pretendimeve për ndonjë shkelje eventuale”, ka thënë Konjufca

Dhomat e Specializuara kanë shumë defekte dhe asnjë mekanizëm kontrolli, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjuca, disa ditë pas vizitës që iu bëri ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në paraburgim në Hagë.

Të martën, kryeparlamentari zhvilloi një vizitë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. E pas takimit të mbyllur me kryetarin e AShAK-ut, Mehmet Kraja, dhe anëtarët e tjerë të këtij institucioni, Konjufca është deklaruar për media, duke folur gjatë tërë kohës për vizitën që zhvilloi të premten në Hagë.

Ka deklaruar se Gjykata Speciale është e mbyllur dhe ka nevojë për mekanizma të kontrollit.

“Ne si institucione do t’i bashkërëndojmë të gjithë hapat, ashtu që të mund të vijmë deri te një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik i kësaj gjykate. Askund në botë nuk ka gjykata, të cilat janë institucione absolute, të mbyllura, hermetike, të cilat bëjnë çfarë të duan. Gjithkund në botë, gjykatat i nënshtrohen një procesi, mekanizmave të kontrollit sa u përket të gjitha çështjeve, mbarëvajtjes së punës aty, sa u përket procedurave, pretendimeve për ndonjë shkelje eventuale”, ka thënë Konjufca.

Ai i ka përcjellë shqetësimin dhe vërejtjet e të paraburgosurve që po qëndrojnë atje tash e dy vjet.

“Të gjithë që i pashë, janë mirë me shëndet dhe shumë të fortë me vullnet dhe janë shumë të qëndrueshëm. Natyrisht shqetësimi i tyre dhe mbrojtjes së tyre është që pretendohet për disa shkelje që po bëhen edhe nëpër procedura për të cilat nuk ka kurrfarë mekanizmi të ankesës dhe i cili shqyrton këto shkelje kur po ndodhin. Kjo është pikërisht për shkak të asaj që unë e shpjegova, kjo gjykatë është absolutiste dhe nuk është në kontrollin e askujt”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se nëse ndodh që të konfirmohet aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dëmtohen UÇK-ja në tërësi dhe po ashtu bazat e shtetndërtimit të Kosovës.

Vizitën e Konjufcës në Hagë e ka komentuar shkurt edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ka thënë se Konjufca si kryeparlamentar e ka konsideruar përgjegjësi t’i dëgjojë të paraburgosurit.

“Ai më tregoi që ka diskutuar me të gjithë ata që po mbahen në Hagë, për shkak se si kryetar i Kuvendit të Republikës ai e udhëheq institucionin në të cilin në fakt është bërë amendamentimi i Kushtetutës, më 3 gusht të vitit 2015, që i ka hapur rrugë asaj që e quajmë Gjykatë Speciale apo Dhoma të Specializuara dhe e ka konsideruar si përgjegjësi të tij që t’i dëgjojë ata të cilët po mbahen në paraburgim e mbase do të dëgjojë edhe të tjerë, për shkak se si drejtues i organit më të lartë përfaqësues e ligjvënës në Republikën tonë e ka konsideruar përgjegjësi dhe me siguri që i takon kryetarit Konjufca të tregojë se çfarë idesh mund të kemi për rrugën përpara në mënyrë që të rriten edhe transparenca edhe llogaridhënia”, ka thënë Kurti.

Që nga nëntori i vitit 2020, ish-presidenti Thaçi, ish-kreparlamentarët Veseli e Krasniqi, deputeti Selimi e pjesëtarë të tjerë të UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Në prill të këtij viti, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vizituar të paraburgosurit në Hagë, porse takime ka zhvilluar vetëm me një pjesë të tyre. Ajo e ka takuar ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn, porse është refuzuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari e ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Pas vizitës, edhe ministrja Haxhiu pati ngritur shqetësime lidhur me faktin se disa prej tyre po mbahen prej dy vjetësh në paraburgim pa asnjë seancë gjyqësore.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmendën në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.