LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Integrimi euroatlantik i rajonit, përgjigjja e vetme ndaj agjendës destabilizuese ruse

Integrimi i Kosovës dhe vendeve të rajonit në strukturat euroatlantike është kërkuar nga përfaqësueset e vendit në Forumin e Prespës. Presidentja Vjosa Osmani e ministrja e Jashtme Donika Gërvalla kërkuan përshpejtim të procesit të integrimeve, si mënyrë e luftimit të ndikimit rus. Në këtë forum, i të njëjtit mendim ishte edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Gabriel Escobar.

Në kuadër të Forumit të Prespës, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar integrimin e Kosovës e të rajonit në strukturat euroatlantike.

Këtë kërkesë, ajo e shtroi në takimet me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar, të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar, Stuart Peach, si dhe atë të Gjermanisë, Manuel Sarrazin.

Në një njoftim të lëshuar në Facebook, presidentja tha se angazhimi i partnerëve për integrimin e Ballkanit Perëndimor siguron paqen e demokracinë në rajon.

“Integrimi i Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit në strukturat euroatlantike është përgjigjja e vetme për ta parandaluar agjendën destablizuese dhe ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Orientimin e Kosovës për anëtarësim në BE e NATO e ka potencuar edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

“Nëse BE-ja është e interesuar të kemi më shumë siguri, atëherë duhet që të bëjmë hapin që të kyçin Ballkanin Perëndimor në BE”, është shprehur ajo.

Në këtë forum, Escobar, pos përkrahjes për Ballkanin e Hapur, potencoi se SHBA-ja përkrah të gjitha nismat që, sipas tij, bashkojnë rajonin.

“Përkrahim të gjitha tregjet, Ballkani i Hapur përderisa është i fokusuar në integrimin evropian, do të jetë i hapur për të gjitha vendet. 70 për qind e ekonomisë së Ballkanit është e lidhur me Evropën, ndërsa pjesa tjetër është po ashtu e lidhur me rajonin. Dy këto procese duhet të marrin pjesë në të njëjtën kornizë. Ballkani i Hapur nuk është e vetmja iniciativë që e përkrahim, ne i përkrahim të gjitha iniciativat tjera që na bashkojnë”, ka thënë Escobar.

Në Forumin e Prespës do të merrte pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por pjesëmarrjen për të premten e ka anuluar për takimin me veteranët.