LAJMET E MBRËMJES

Veteranët paralajmërojnë protesta, Kurti propozime të reja

Nuk ka prodhuar ndonjë rezultat takimi që kryeministri Albin Kurti e ka pasur me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta. Pavarësisht diskutimit që ka zgjatur dy orë e gjysmë, asnjëra nga palët nuk është tërhequr nga qëndrimet e veta lidhur me pagën minimale dhe pensionin e veteranëve të UÇK-së. E, përderisa në kabinetin e kryeministrit kanë thënë se do të dilet me propozime të reja, përfaqësuesit e veteranëve kanë thënë se nuk do të heqin dorë nga protestat deri në mbërritjen e qëllimit të tyre

Pa ndonjë dakordim ka përfunduar takimi mes kryeministrit Albin Kurti e përfaqësuesve të kategorive të dala nga lufta, i cili të premten është realizuar në ndërtesën e Qeverisë. Pavarësisht diskutimit që ka zgjatur dy orë e gjysmë, asnjëra nga palët nuk është tërhequr nga qëndrimet e veta lidhur me pagën minimale dhe pensionin e veteranëve të UÇK-së.

Derisa përfaqësuesit e veteranëve të luftës së UÇK-së kanë thënë se kanë insistuar në kërkesat e deklaruara prej kohësh, sipas tyre kreu i Qeverisë ka përmendur vazhdimisht pastrimin e listave të veteranëve.

Kryeministri Kurti është zotuar se do ta nxjerrë një propozim, e përfaqësuesit e veteranëve kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se do të vazhdojnë të protestojnë, derisa t’ia dalin që të bindin institucionet që veteranët të mos i përjashtojnë nga përfitimi i pagës minimale, të cilën gjë Qeveria e synon nëpërmjet ndryshimeve ligjore.

“Me kryeministrin nuk u dakorduam, sepse ne kërkuam që të kthehet pika 3.1 që e kanë ndryshuar kjo qeveri me Kuvendit e Kosovës, që me atë pikë e kanë larguar beneficionin e veteranit të luftës që është me ligj, që nuk mund të jetë më pak se paga minimale. Ne i thamë që kërkojmë që pika 3.1 të kthehet dhe në seancat që mbahen ne vazhdojmë protestat tona, derisa kjo çështje të rregullohet”, ka thënë Klinaku.

Duke komentuar insistimin e kreut të Qeverisë për pastrimin e listave të veteranëve, Klinaku ka thënë se kjo çështje nuk i takon kryeministrit Kurti.

“Ai thirret prapë në shifra, në numrin e madh të veteranëve që nuk është çështje e tij, por e gjykatës, sepse ne e kemi dërguar këtë në gjykatë dhe duhet të ketë proces gjyqësor, qoftë për verifikim, por qoftë edhe për kategorizim. Këto arsyetime të tyre janë të pabaza, sepse edhe nëse krijohet komision i ri, prapë do të bëhet prej atyre komandantëve”, ka thënë ai.

Sipas Klinakut, nëse Qeveria ka ndonjë zgjidhje më të mirë për çështjen e kategorive të dala nga lufta, është e mirëseardhur që atë ta prezantojë.

“Secila qeveri e ka për obligim, por e ka edhe ndoshta dëshirë që të bëjë më mirë se që ka qenë, por të paktën ne i thamë që mund ta bëni më mirë se që ka qenë, por nuk mund ta prekni pikën 3.1, e cila i lidh veteranët e luftës me beneficionin, se nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale”, ka bërë të ditur ai.

Përfaqësuesi i veteranëve ka paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta në ditën që do të mbahet seanca, për leximin e dytë të projektligjit që i hap rrugë pagës minimale.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e familjarëve të dëshmorëve të UÇK-së kanë thënë se protestat që do t’i organizojnë do të jenë paqësore, por nuk kanë përjashtuar edhe mundësitë e përshkallëzimit të tyre.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, nuk është qëllimi i tyre që të dëmtojnë as Policinë e Kosovës dhe as objektet e institucioneve të Kosovës.

“Nuk kemi problem me objektet që janë këtu, sepse janë tonat dhe është kontributi më i madh ndoshta i vetë luftës së UÇK-së dhe kategorive të dala nga kjo luftë, por kemi problem me ata që nuk respektojnë ligjet, me ata që janë brenda këtyre institucioneve. Hala nuk kanë arritur të kuptojnë se pa institucionin më të rëndësishme me vlerë të përmasave kombëtare, luftës së UÇK-së, ata nuk do të ishin ulur në ato karrige dhe unë u bëj thirrje që të reflektojnë dhe në të kundërtën ne shfrytëzojmë të gjitha të drejtat tonë për t’i realizuar”, ka thënë Jashari.

Ai ka bërë të ditur se ministrit të Financave, Hekuran Murati, që ka qenë pjesë e takimit, i kanë thënë se e ka shkelur ligjin.

“Në radhë të parë duhet të bëhet kategorizimi në ligjin e ri dhe e obligon Qeverinë që ë zbatojë ligjin në pagën minimale, në ligjin bazik, derisa të bëhet kategorizimi i veteranëve të luftës së UÇK-së. Ne i treguam ministrit që ka bërë shkelje ligjore. Kërkesa jonë ishte që të kthehet në ligjin bazik”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Fadil Shurdhaj, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, ka shprehur pritjen për reflektim të përfaqësuesve e institucioneve.

“Rrjedha e bisedimeve ishte një rrjedhë e mundimshme dhe ishte e gjatë, megjithatë nuk arritëm një konsensus, një dakordim prej kryeministrit dhe ministrit të Financave. Kështu që presim reflektim dhe propozimin me shkrim se çfarë do të ndryshojnë apo çka do të kërkojnë prej neve që t’i përkrahim”, ka thënë Shurdhaj.

Propozimin të cilin e presin përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta, nuk e ka përmendur fare Qeveria e Kosovës. Në njoftim për media referuar takimit thuhet të jetë biseduar për çështjen e pastrimit të listave, bashkëpunimit në këtë aspekt e tema të tjera lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës së UÇK-së.

Por Agim Bici, këshilltar i kryeministrit Kurti për çështjet e kategorive të dala nga lufta, ka thënë në KTV se ishin përfaqësuesit ata që kundërshtuan propozimet e bëra. Sipas tij, ato ishin dy: që të bëhej kategorizimi i veteranëve dhe pastrimi i listave.

“Propozimi i kryeministrit ishte ose të bëjmë pastrimin e listave, ose të shkojmë në zbatimin e legjislacionit, pra kategorizimin e listave. Asnjëra nuk u pranua. Ata kërkuan një herë të respektohet ligji për paga, pastaj të fillojë kategorizimi”, ka thënë Bici në emisionin “60 Minuta”.

Ai ka thënë se Qeveria nuk i ka dosjet veteranëve, meqë ato ndodhen në Prokurori.

“Kemi bërë kërkesë tash e dy muaj për ta kthyer. Prokuroria është zotuar se do të na kthejë, sigurisht në kopje. Mendojmë se shumë shpejt do t’i kemi në duar dosjet. Do të fillojmë menjëherë me kategorizimin në rast se pranohet e më pastaj me pastrimin e listave”, ka deklaruar këshilltari i kryeministrit.

Bici, që ishte komandant i batalionit të parë të Brigadës 142 të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës, ka treguar se si numri i ushtarëve që ka drejtuar është rritur pa aprovimin e tij si udhëheqës.

“Në batalionin ku kam qenë unë i kam pasur rreth 250 ushtarë të armatosur. Tash numri ka shkuar në 600. Komisioni verifikues do të ishte dashur t’i vërtetonte kush ka qenë veteran e kush jo”, ka thënë Bici.

Një ditë më parë, për të dytën herë me radhë brenda dy javësh, veteranët e luftës kanë protestuar për rreth 7 orë. Protesta e tyre ndodhi pasi të martën, më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale. Me ndryshimet e bëra në këtë projektligj, Qeveria ka hequr detyrimin që kategorive të dala nga lufta t’u japë pensione në nivel të pagës minimale.

Shkëputja e pensionit të tyre nga paga minimale është kundërshtuar edhe nga partitë opozitare.

Pavarësisht kësaj, të martën, projektligji me ndryshimet e bëra është miratuar në Kuvend, me 68 vota pro dhe 6 abstenime të grupit multientik. Përveç deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndryshimet i kanë mbështetur edhe deputetët e Listës Serbe.

Seancën e kanë bojkotuar deputetët e Partisë Demokratike, ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Lidhjes Demokratike dhe as ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e po kështu as deputeti i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, i cili kalimin e projektligjit e ka quajtur “rezultat të koalicionit Vetëvendosje-Lista Serbe”.

Pas miratimit në lexim të dytë të projektligjit, Qeveria do të mund ta kthejë në vendim përcaktimin që paga minimale të rritet në 264 euro, nga 130 euro, përkatësisht 170 euro sa është aktualisht.