LAJMET E MBRËMJES

Probleme teknike shoqëruan zgjedhjet në UP

Me probleme teknike janë shoqëruar zgjedhjet elektronike për përfaqësuesit e studentëve në Universitetin e Prishtinës.

Ndonëse masat e sigurisë janë shtuar krahasuar me zgjedhjet e dy vjetëve më parë, vëzhguesit kanë thënë se emailet e shumta që UP-ja ua ka dërguar votuesve për t’ua dhënë kodin konfirmues janë bërë shkak i bllokimit të llogarisë nga Google.

“Pasi ta klikosh ‘voto’ dërgohet një ‘hashcode’ në emailin e studentit, që e ka të regjistruar në Universitetin e Prishtinës, në sistemin e Universitetit të Prishtinës. Atëherë ai kod merret e vendoset në vendin ku kërkohet kodi si masë e sigurisë brenda listës së votimit dhe të dërgohet një ‘hashcode’ për të parë më vonë se a ka shkuar vota jote aty ku ti ke votuar. Në moment që dërgohen shumë emaile në mënyrë të njëjtë, është politikë e Google, atëherë Google, Firewalli i Google e bllokon atë, sepse mendon që i është cenuar siguria vetë Googlet”, ka thënë Albin Kastrati, monitorues i zgjedhjeve studentore.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në UP ka thënë se i ka rregulluar problemet teknike, pasi i ka ndryshuar hapat e sigurisë në sistem të saj, në koordinim me një administrator për Google. Në këtë komision kanë bërë të ditur se periudha e votimit do të kompensohet, duke e zgjatur mbi dy orë, sa edhe ka zgjatur rregullimi i problemeve teknike.

“Tani jemi duke komunikuar edhe me Google, edhe me pjesën atje ku është i vendosur serveri që ta zhbllokojmë dhe si komision i zgjedhjeve, kohën e humbur do ta kompensojmë. Do ta shtyjmë kohën e votimit. Përndryshe, numri i votave sa ka qenë i ndalur sistemi është njëjtë dhe gjithçka do të verifikohet. Nuk do ta lejojmë assesi që të dëmtohet procesi”, ka thënë kryetar i KQZ-së së UP-së, Florent Muçaj.

Vëzhgues të këtyre zgjedhjeve janë delegatë të organizatave studentore dhe të Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ORCA).

“Dy monitorueset tona nga ORCA do të jenë në Senat për ta monitoruar procesin dhe shpresoj që çdo gjë do të shkojë mirë. Natyrisht, për ngecjet e sistemit dhe çdo gjë që ka të bëjë me parregullsitë, janë personat përgjegjës dhe kompetent”, ka thënë Dibran Hoxha, koordinator në ORCA.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka thënë se zgjedhjet duhet të anulohen nëse lëshimet vazhdojnë, derisa e ka kritikuar organizimin e këtyre zgjedhjeve në mënyrë elektronike, edhe pas lehtësimit të masave anti-COVID.

Ndërkaq, UP-ja nëpërmjet një komunikate ka siguruar për integritet të procesit dhe se do të jetë transparente në procesin e shqyrtimit të ankesave.